Futboll

Tirana shpërdoron sërish, vetëm një pikë ndaj Vllaznisë

Emocionet e munguara në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi”, ku luhej pa tifozë, i kanë ndjerë edhe futbollistët në fushë. Tirana dhe Vllaznia nuk mundën të shkojnë te goli dhe në fund kanë bërë “paqe”, duke ndarë nga një pikë. Barazimi 0-0 pa dyshim që kënaq Vllazninë, ndërsa Tirana lë edhe dy pikë të tjera, çka tregon se problemi i bardhebluve nuk paska qenë trajneri Mema. Edhe nën drejtimin e Ahmatajt, kryeqytetasit gabojnë, madje mund të ishin ndëshkuar nga shkodranët në fund, por Shtubina nuk u tregua i saktë.

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, i dënuar nga Disiplina, i ka ndjekur të tijtë nga ambientet e brendshme të stadiumit, duke dhënë udhëzime me telefon. Shkodranët goditën shtyllën e Likës në pjesën e parë me brazilianin Hygor, por krijuan edhe raste të tjera shënimi, ashtu si dhe Tirana. Shpëtimtari i Vllaznisë ishte portieri Alen Sherri, vendimtar në disa raste, por edhe me fat, pasi edhe bardheblutë goditën shtyllën.

Tirana ngjitet në kuotën e 19 pikëve pas këtij barazimi, kurse Vllaznia në atë të 16 pikëve. Superiorja vazhdon nesër dhe pasnesër me ndeshjet Bylis-Skënderbeu, Luftëtari-Teuta, Flamurtari-Partizani dhe Laçi-Kukësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë