Gazeta Si- Duke nisur nga sot, Tirana do të presë për 3 ditë me radhë punimet e konferencës së 51 rajonale të INTERPOL-it për Europën.
Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale mbledh në Tiranë rreth 200 përfaqësues nga agjencitë ligjzbatuese të vendeve të Evropës.
Në nisje të kësaj konferencë u mbajt një minutë heshtje në nder të policëve që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Gjatë fjalës së hapjes, ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh se Shqipëria është partnere e besuar e INTERPOL dhe se gjithashtu e përkushtuar në luftën kundër krimit.
“Është privilegj për ne. Është gjithashtu dhe një njohje dhe vlerësim për Policinë e Shtetit dhe kontributin tonë me Interpolin në 32 vitet e fundit. që nga hapja e Zyrës së Interpol në vitin 1992 të ndjekur nga një anëtarësim i plotë në 1998, Shqipëria është fuqimisht bashkë me misionin e Interpol. Ne kemi bërë pjesën tonë duke kontribuar me policimin në komunitet. Numri në rritje i ekipeve të përbashkëta të veprimit, 16 në vitin 2022, 19 në vitin 2023 dhe 24 në vitin 2024. Konfirmojmë që Shqipëria është e përkushtuar dhe një partnere e besuar”, tha Balla.
Balla u ndal në sfidat e fundit në fushën e sigurisë dhe rendit publik të cilat theksoi se janë të shumta. Ai shtoi se ato kanë të bëjnë që nga krimi i organizuar, terrorizmi, narkotrafiku dhe krimet kibernetike.
Balla pati një falënderim për Interpol në lidhje me personat e ekstraduar në Shqipëri kohët e fundit. Në këtë konferencë do ketë një numër të lartë pjesëmarrësish duke nisur nga Sekretari i Përgjithshëm i Interpol-it, si dhe delegacionet e vendeve anëtare do të zbarkojnë në Tiranë.
Për 3 ditë me radhë në Tiranë do të mbërrijnë 53 delegacione të shteteve anëtare, përkatësisht rreth 250 të ftuar në këtë konferencë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.