Vetëm Skënderbeu ia ka dalë të fitojë në tri ndeshjet e sotme të Superiores, të vlefshme për javën e 7-të të saj. Korçarët shënuan dy herë në kohën shtesë në portën e Luftëtarit, me Bruno Ditën me penallti dhe me të riun Muja. Fitorja e katërt për skuadrën e Ilir Dajës, 12 pikë dhe vendi i dytë për momentin. Po 12 pikë ka edhe Teuta, që merr kryesimin falë golaverazhit më të mirë se ai i Skënderbeut.
Teuta barazoi 1-1 në fushën e Partizanit, që pas fitores në derbi pritej të vazhdonte serinë e fitoreve, por planet iu prishën pas 35 minutash lojë, kur Romero u ndëshkua me karton të kuq dhe e la skuadrën e tij me 10 vetë. Menjëherë më pas Teuta kaloi në avantazh me Avdylin, por Trashi barazoi brenda pjesës së parë. Në pjesën e dytë asnjëra nga skuadrat nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës dhe të dyja ndanë nga një pikë në fund, që sigurisht lë të kënaqur durrsakët.
Tirana ka gabuar sërish. Vetëm një pikë pas barazimit fatal 2-2 në Vlorë, ku një gol në shtesë i Ardit Hoxhajt u ka ngrirë buzëqeshjen bardhebluve. Kryeqytetasit ishin vërtet pa fat, pasi golat e Hasanit u barazuan dy herë, në fillim nga një autogol i Ngo dhe në kohën shtesë nga një pakujdesi në mbrojtje, që solli golin e Hoxhajt. Një hap tjetër fals, që me siguri do të ketë pasoja te Tirana, ku më i rrezikuari është trajneri Ardjan Mema, i vënë në shënjestër që pas humbjes në derbin me Partizanin.
Java e 7-të e Superiores mbyllet nesër me ndeshjet Kukësi-Vllaznia dhe Laçi-Bylis.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.