Nga Gazeta Si- “Të gjithë e dimë se nuk ka gjasa të gjejmë një ofertë të mirë kur vizitojmë vende të njohura si Parisi ose Venecia, por është ende e mundur të shijosh një pushim në një qytet europian pa shpenzuar shumë para”. Kështu e nis artikullin “Escape” për vendet ku mund të maksimizosh argëtimin me shpenzime minimale, ku mes tyre është edhe Tirana.
“Shqipëria është shndërruar në destincionin e radhës për pushimet në plazhet europiane dhe kryeqyteti i saj, Tirana, ofron vlera të shkëlqyera dhe pamje interesante. Me përzierjen e arkitekturës osmane, sovjetike dhe moderne, duke përfshirë Bunk’Art 1, një bunker i Luftës së Ftohtë i shndërruar në muze arti bashkëkohor, ajo ka një horizont që të hap sytë”, shkruan Escape.
Për sa i përket ngrënies, thuhet në artikull, Tirana ofron shumë mundësi të përballueshme: një vakt mund të kushtojë rreth 20 dollarë, një birrë afër 4 dollarëve, dhe ka edhe një mori verërash që janë në zhvillim, ku Kallmet është një verë e kuqe që ia vlen ta provoni, rekomandon ‘Escape’.
Në artikull përmenden edhe shëtitjet nëpër bare në Bllok, duke i cilësuar si një zbavitje argëtuese. “Merrni teleferikun për në malin e Dajtit dhe vizitoni qytetin e afërt të Durrësit (nën 40 km) në vijën bregdetare me ngjyrë të kaltër të vendit”, përfundon artikulli për Tiranën.
Vendet e tjera të përmendura janë Porto- Portugali, Vilnius- Lituani, Athinë- Greqi, Bukuresht- Rumani, Sofje- Bullgari, Lille- Francë, Riga- Letoni, Budapest- Hungari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.