Futboll

Tirana ‘mbretëreshë’ e merkatos, zyrtarizon Latifin dhe pret Dokën

Gazeta Si – Liridon Latifi është prezantuar me fanellën e Tiranës. Ish-lojtari i Skënderbeut dhe Vllaznisë është goditja e tretë zyrtare e Tiranës, pas portierit Gentian Selmani dhe sulmuesit Kaina Nunes. Klubi bardheblu ndërkohë vazhdon të jetë mjaft aktiv në këtë merkato vere, ku duket se po dikton gjithçka.

Pas konfirmimit të trajnerit Orges Shehi, që u duk i ikur pas përfundimit të kampionatit, Tirana ka bërë lëvizje të rëndësishme. Ka rinovuar me Ardit Hilën, por ka humbur Aleksin dhe Toshevskin. Për të zëvendësuar këta dy lojtarë, në listën e kryeqytetasve janë emra mjaft interesantë.

Albi Doka, kur ishte pjese e Tiranes. Gazeta Si, 17 qershor 2023

Albi Doka, pas eksperiencave në Kroaci dhe Hungari, pritet të rikthehet me fanellën bardheblu. Lojtari që është grumbulluar më parë edhe nga Kombëtarja, ashtu si Latifi, do të ishte një afrim me shumë vlera për skuadrën e Shehit. Për mesfushën në lojë janë emra si Idriz Batha, tjetër ish-lojtar i Tiranës, dhe Fjoart Jonuzi. Me afrimin e këtyre lojtarëve Tirana do të ishte vërtet ‘mbretëresha’ e merkatos së verës.

Te Partizani kampion deri tani ka pasur më shumë largime se afrime. Klubi pritet të plotësojë kërkesat e trajnerit të ri Zoran Zekiç, me goditjen më të madhe Eros Grezda.

Egnatia, befasia e madhe e sezonit të fundit, ku arriti të fitojë Kupën e Shqipërisë dhe të sigurojë një vend në kompeticonet europiane, deri tani mund të krenohet me afrimin e Albano Aleksit nga Tirana.

Nga klubet e tjera të Superiores, veçanërisht Vllaznia, Kukësi dhe Laçi, ka pasur largime në masë. Shkodranët duket se kanë zgjedhur një strategji të re për të ardhmen, me pak shpenzime. Një strategji që justifikon largimin e lojtarëve si, Latifi, Gurishta, Bulatoviç, Herald Marku, Ardit Hoxhaj, Kaina e të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë