Futboll

Tirana imiton Partizanin në Europë, fitorja mbetet vetëm një dëshirë në ‘Air Albania’

Gazeta Si – Tirana regjistroi sot në mbrëmje barazimin e tretë 1-1 për skuadrat shqiptare që luajnë në Europë, pas Partizanit dhe Egnatias. Ishte barazimi i dytë me të njëjtat shifra brenda pak ditësh në stadiumin ‘Air Albania’, ku fitorja mbeti vetëm një dëshirë edhe për Tiranën, ashtu si për Partizanin të martën.

Të dyja këto skuadra u gjendën në disavantazh, por të paktën arritën të barazonin. Bardheblutë në fakt i shpëtuan humbjes në kohën shtesë në ndeshjen e parë të turit të parë të Ligvs së Konferencës, siç ndodhi edhe me rrogozhinasit disa orë më parë. Gjerorgjianët e Dinamo Batumit kryesonin 0-1 deri në minutën e 93-të. Barazimi lë gjithçka të hapur sa i takon kualifikimit për ndeshjen e kthimit pas një jave.

Regi Lushhkja realizoi me kokë golin e barazimit, pas krosit të Përgjonit, të dy lojtarë të ardhur nga stoli në këtë ndeshje. Gjeorgjianët shfrytëzuan në mënyrën më të mirë një gabim në prapavijë të Tiranës dhe kaluan në avantazh me brazilianin Flamarion.

Dinamo Batumi ishte një skuadër mjaft e fortë fizikisht, ishte evidente gjatë gjithë kohës, por nuk krijoi shumë raste të rrezikshme. Tirana pati disa shanse të tjera për gol me Latifin, Hasanin, Hilën dhe Lushkjan. Zhgënjyen në këtë ndeshje lojtarët e ardhur në merkato, si Hoxhallari dhe Mici në mbrojtje, apo edhe Latifi në sulm.

Nga skuadrat e tjera shqiptare që marrin pjesë në Ligën e Konferencës, fitoren më të thellë e arriti Shkupi, 0-5 në fushën e lituanezëve të Hegelman. Shkëndija e Tetovës fitoi 1-0 në fushën e saj ndaj uellsianëve të Haverforduest.

Nga ekipet e Kosovës, Dukagjini, i drejtuar nga Armend Dallku, ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, mundi 2-1 Europa FC të Gjibraltarit. Gjilani i Klodian Duros barazoi 2-2 në Luksemburg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë