Futboll

Tirana humb edhe Kupën e Shqipërisë, Egnatia kompleton me trofe sezonin e ëndrrave

Gazeta Si – Tirana ka marrë një tjetër shuplakë pas humbjes së titullit pak ditë më parë. Në finalen e Kupës së Shqipërisë ka triumfuar 1-0 Egnatia, që e fiton këtë trofe për herë të parë në historinë e saj modeste. Koha e rregullt përfundoi 0-0, në shtesë rrogozhinasit gjetën golin që u dha trofeun.

Ka rezistuar 114 minuta Tirana, që mezi bënte 11-shin titullar, ndërsa në stol kishte vetëm lojtarë të rinj. Sikur të mos mjaftonte kjo, mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 25-të, pas ndëshkimit me karton të kuq të Berishës, duke e bërë edhe më të vështirë finalen.

Festa e rrogozhinasve dhe deshperimi i lojtareve te Tiranes pas perfundimit te finales. Gazeta Si, 1 qershor 2023

Egnatia e dominoi ndeshjen, goditi shtyllën dhe iu anulua një gol i Duamenës për pozicion jashtë loje. Tirana në një moment pretendoi për penallti, për prekje të topit me dorë në zonë nga lojtarët e Egnatias, por arbitri Jorgji vazhdoi lojën.

Rrogozhinasit bënë disa edhe lëvizje nga stoli, kurse Shehi nuk e kishte këtë luks. Lëvizjen e parë trajneri i Tiranës e bëri në minutën e 95-të. Goli i vetëm u shënua në shtesën e dytë nga braziliani Laurentino. Ai realizoi pas një penalltie, që fillimisht u prit nga Lika, por topin e grushtuar prej tij sulmuesi e çoi në rrjetë.

Kjo fitore ishte 'qershia mbi tortë' për sezonin e Egnatias, e treta në kampionat dhe me trofeun e Kupës së Shqipërisë, duke lënë pas emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar.

Trajneri Orges Shehi dhe lojtarët e Tiranës refuzuan medaljet gjatë ceremonisë. Ata i hoqën menjëherë sapo i morën në shenjë proteste ndaj goditjeve që kanë marrë ditët e fundit nga arbitrat dhe komisionet e FSHF-së. Kujtojmë që pas ndeshjes me Bylisin në kampionat, ku u dha një penallti e kontestuar fort, u pezulluan 6 lojtarë të saj dhe disa drejtues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë