Një gol në minutat shtesë dhe shumë i kontestuar nga lojtarët dhe stafi i Bylisit i ka dhënë fitoren 2-1 Tiranës, që e sheh veten në vend të dytë, me 31 pikë. Bardheblutë kanë hasur shumë vështirësi për të mundur ballshiotët në stadiumin “Selman Stërmasi”, edhe pse e gjetën golin shpejt me anë të brazilianit Kale.
Bylisi barazoi në pjesën e dytë me një penallti, të cilën portieri Isli Hidi e ekzekutoi saktë. Situata u komplikua për Tiranën, megjithatë kundërshtari mbeti me 10 lojtarë në 20 minutat e fundit dhe nga momenti në moment pritej goli i skuadrës së drejtuar nga trajneri Emanuel Egbo. Pavarësisht volumit të lojës, Tirana nuk kishte kthjelltësinë e duhur dhe sulmet e saj ndaleshin nga Bylisi, i kthyer i gjithi në mbrojtje.
Goli i fitores do të vinte në kohën shtesë, kur Batha ekzekutoi një goditje dënimi përballë portës. Në zhvillimet e saj, anglezi Majkëll Ngo e dërgoi topin në rrjetë, por sipas ballshiotëve e preku me dorë dhe për disa minuta ka pasur kontestime, madje trajneri serb i Bylisit, Dovedan, u fut në fushë. Sapo situata u qetësua, ndërkombëtari Enea Jorgji vërshëlleu për përfundimin e ndeshjes dhe Tirana nisi festën me tifozët me vendin e dytë. Dëshpërim për Bylisin që ndoshta nuk e meritoi humbjen për lojën që zhvilloi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.