Futboll

Tirana feston në ‘Loro Boriçi’ me Abazajn, Vllaznia nuk ndez as me Sedloskin

Gazeta Si – Ka mjaftuar një gol i Kristal Abazajt në fundin e pjesës së parë, që Tirana të festojë në Shkodër dhe ta thellojë në 8 pikë diferencën me Partizanin e vendit të dytë. ‘Klasikja’ është fituar 0-1 nga kryeqytetasit, Vllaznia nuk po arrin të dalë nga kriza as me trajnerin Sedloski.

Abazaj shënoi golin e vetëm të ndeshjes pas një sulmi të shpejtë të Tiranës, i ndihmuar edhe nga shtylla dhe një devijim i Bulatoviç. Sulmuesi po rezulton vendimtar për Tiranën ndeshjet e fundit. Kujtojmë që ai vjen pas dopietës me Egnatian një javë më parë.

Në anën tjetër, Bekim Balaj, i ardhur më shumë bujë te Tirana në merkaton e dimrit, ka zhgnjyer deri tani. Ish-sulmuesi i Kombëtares ka shënuar vetëm një gol me penallti. Po ashtu, as Liridon Latifi nuk po arrin të bëhet faktor te shkodranët. Në ndeshjen e sotme ata patën pretendime edhe për një penallti, pas një rrëzimi të Çobës në zonë.

Vllaznia me këtë humbje e komplikon jo pak rrugën për në Europë nga kampionati. Laçi është afruar, po ashtu edhe Teuta, ndërsa Egnatia mbetet një tjetër kërcënim për shkodranët.

Në ndeshjet e tjera të javës së 30-të që u luajtën sot, Teuta fitoi 2-0 derbin me Erzenin, kurse Laçi barazoi 1-1 me Egnatian. Drejtuesit e Partizanit, të pranishëm në “Loro Boriçi”, shpresonin në një ndalesë të Tiranës dhe rihapjen e garës, por dëshira e tyre nuk u realizua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë