Futboll

Tirana e Teuta dy gjysmëfinalistet e para të Kupës së Shqipërisë

Gazeta Si – Tirana dhe Teuta janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Ato janë kualifikuar sot, duke nxjerrë jashtë gare nga ky kompeticion Kastriotin dhe Kukësin.

Tirana barazoi 2-2 sot ndaj Kastriotit, por falë fitores 1-4 në ndeshjen e parë u kualifikua. Hasani me penallti dhe Najdovski shënuan golat për skuadrën e Shehit në pjesën e parë. Në të dytën krutanët barazuan me një autogol të Isenit dhe golin e Ajazit me penallti. Në ndeshjen e sotme trajneri Shehi kurseu disa nga titullarët, duke u dhënë hapësirë djemve të rinj.

Tirana feston golin e Hasanit. Gazeta Si, 14 mars 2023

Teuta u mund 2-1 në Kukës, megjithatë ia doli të kualifikohet për në gjysmëfinale, pasi ndeshjen e parë e kishte fituar 2-0. Gruda shënoi për durrsakët, ndërsa për Kukësin realizuan golat e përmbysjes Rashiti dhe Gjelbërim Taipi. Por kaq nuk mjaftoi që Kukësi të kalonte më tej.

Dy skuadrat e tjera gjysmëfinaliste do të përcatohen ditën e mërkurë nga sfidat Laçi-Egnatia dhe Partizani-Vllaznia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë