Futboll

Tirana dëshiron të luajë e para në “Air Albania Stadium”, por jo derbin

“Air Albania Stadium” u përurua me ndeshjen me Francën, më 17 nëntor. Përgjithësisht, ajo ndeshje shkoi mirë dhe shumë shpejt në impiantin e ri modern të kryeqytetit do të luhen edhe sfida të Superiores. Interesimi ka filluar që tani dhe duket se do të jetë Tirana skuadra e parë që do të organizojë si pritëse një ndeshje të Superiores në këtë stadium.

Drejtuesit e Tiranës kanë bërë një kërkesë për të luajtur në “Air Albania Stadium” ndeshjen me Kukësin, e vlefshme për javën e 14-të të Superiores dhe e programuar për t’u luajtut më 29 nëntor, pra javën e ardhshme. Deri atëherë, edhe gjendja e fushës së blertë të stadiumit të ri, që shfaqi probleme në ndeshjen me Francën, do të jetë plotësisht gati.

Nga ceremonia e inaugurimit të stadiumit "Air Albania Stadium". Gazeta Si, 21 nëntor 2019

Në fakt, ishte menduar se do të ishte derbi Partizani-Tirana ndeshja e parë e Superiores në këtë stadium, por drejtuesit e klubit bardheblu nuk duan të presin më gjatë dhe që javën e ardhshme pritet të shkelin në “Air Albania Stadium”. Pritet vetëm konfirmimi nga FSHF-ja për zhvillimin e ndeshjes Tirana-Kukësi në këtë stadium.

Më shumë se Tiranës, që e ka stadiumin e saj, stadiumi i ri u intereson Partizanit dhe Kukësit, që nuk kanë “shtëpi” për momentin. Partizani po ndërton një stadium të ri dhe ndeshjet si pritës i zhvillon në “shtëpinë” e Tiranës, që e ka marrë me qera. Edhe Kukësi po bën punime në stadium dhe gjatë kësaj periudhe ka luajtur sa në një qytet në tjetrin, në Elbasan, Kamzë, Lushnjë e Tiranë. Tani ka një alternativë më shumë, madje shumë më komode, edhe pse me kosto më të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë