Futboll

Tirana bën mrekullinë në Gjeorgji, Lushkja dhe Deliu i dhurojnë turin e dytë dhe Beshiktashin

Gazeta Si – Tirana ka bërë mrekullinë në Batumi të Gjeorgjisë, duke mundur 1-2 Dinamon vendëse. Mrekulli, sepse kundërshtari ishte një ekip vërtet mjaft i fortë, e tregoi qartë në ‘Air Albania’ një javë më parë, duke barazuar 1-1.

Në atë takim Regi Lushkja barazoi shifrat në shtesë dhe sot ishte po ky lojtar që e kaloi Tiranën në avantazh. Kavajasi gjuajti saktë pas pasimit të Hilës në një aksion model për bardheblutë. Gati me të njëjtën mënyrë shënoi edhe Ardi Deliu në pjesën e dytë, 12 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Kapanadze shkurtoi në 1-2 në minute e fundit.

Trajneri Orges Shehi kishte bërë dy lëvizje në krahasim me formacionin e ndeshjes së parë. Ai aktivizoi nga minuta e parë Përgjonin në të majtë të mbrojtjes dhe Lushkjan në vend të Deliut në mesfushë. Skuadra funksionoi më mirë dhe ndoqi strategjinë e duhur për të shkuar në turin e dytë të Ligës së Konferencës.

Tirana pati edhe fatin në anën e saj në këtë ndeshje, pasi gjeorgjianët goditën shtyllën kur rezultati ishte 0-1, pas një devijimi edhe të portierit Selmani. Një ndeshje e interpretuar shumë mirë ndaj një kundërshtari shumë të fortë fizikisht, që do të thotë se Tirana ka potencial. Një mesazh i qartë edhe për rivalët në Superiore.

Bardheblutë nuk kanë shumë kohë të festojnë për këtë kualifikim të madh, pasi duhet të nisin përgatitjet për sfidën e turit të dytë të Ligës së Konferencës, ku do të ndeshen me klubin e madh turk të Beshiktashit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë