Muzike

Timo Flloko do të mbledhë artistët në Butrint, performon edhe tenori Saimir Pirgu

Artistët e njohur bëhen bashkë mbrëmjen e 8 korrikut në Butrint. Aktori i njohur, Timo Flloko, do të mbledhë artistët në një mbrëmje poezie, ku nuk do të mungojë as muzika. Pjesë e kësaj mbrëmje është dhe tenori Saimir Pirgu, që do të performojë në Butrint shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Teatri bën me dije se me këtë pjesëmarrje do të çelë dhe kalendarin turistik këtë sezon.

“Yjet vijnë në Butrint! Timo Flloko i njohur si artist multidimensional, do të mbledhë yjet botërorë e shqiptarë, në një koncert siç asnjëherë nuk është parë! Me tenorin Saimir Pirgu, ylli i teatrove më prestigjioze botërore si ‘La Scala’, ‘Metropolitan Opera- Neë York’, ‘The London Royal Opera House’, e shumë të tjerë, do të çelim kështu kalendarin turistik të Teatrit të Operë dhe Baletit”, shprehet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në faqen e tij, që ka ndarë dhe foto të tenorit Saimir Pirgu.

Shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, institucioni shprehet se i shpallur nga shumë personalitete të artit si “Ylli më i shndritshëm në qiellin ndërkombëtar të operës”, Saimir Pirgu do të performojë më 8 korrik, në një nga monumentet më të rëndësishëm në qytetin antik, amfiteatri i Butrintit.

Aktori i njohur Timo Flloko ka menduar këtë herë të organizojë një mbrëmje me poezi dashurie dhe këngë që kanë në qendër një mesazh universal siç është dashuria, ku në skenë do të ngjiten artistë të njohur.

Por për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) ky koncert çel siparin e shumë koncerteve, që si institucion do të zhvillojë gjatë këtij sezoni në vijim për publikun.

“Nuk mund të mungonin as emrat e mirënjohur si Luiza Xhuvani, Nik Xhelilaj, Ema Andrea, Kristian Koroveshi, Pirro Çako, Ledina Çelo. Ky koncert çel siparin e shumë koncerteve dhe shfaqjeve të tjera që do të vijnë përgjatë këtij sezoni veror nga Teatri i Operës dhe Baletit, nga Veriu në Jug, me emrat më të mirënjohur kombëtar e ndërkombëtar”, thuhet nga teatri.

Timo Flloko nuk njihet vetëm si aktor, por edhe si poet. Poezitë e tij për jetën dhe dashurinë do të kumbojnë në 8 korrik në amfiteatrin e lashtë të Butrintit. Këtë mbrëmje aktorit do t’i bashkohet edhe Saimir Pirgu, që konsiderohet si një nga artistët që ka pasur ngjitjen më të shpejtë në karrierë në qarqet operistike dhe koncertale. Debutimet në role të rëndësishme e kanë bërë artistin e ri të bashkëpunojë rregullisht me teatrot më të mëdha të operës në mbarë botën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë