Motosport

Tifozët kundër Ferrarit për largimin e Sainz, e cilësojnë ‘horror’ paraqitjen e Hemilton

Gazeta Si – Piloti spanjoll, Karlos Sainz, po kalon një moment shumë të mirë këtë Botëror, me tre pode në tri gara që ka zhvilluar. Dhe në këtë pikë ka një pjesë tifozësh të Ferrarit që kritikojnë drejtuesit për largimin e tij dhe afrimin e Ljuis Hemilton. Paraqitjen e këtij të fundit tifozët e konsiderojnë një ‘horror’.

Sainz po e udhëheq Ferrarin në klasifikimin e konstruktorëve, falë pikëve të marra në 3 pode deri tani. Është edhe pak ironi fati, sepse në 2025-ën ai duhet të lërë Ferrarin për t’u zëvendësuar nga Hemilton, shok në bokse me Leklerk.

Deri në fund të sezonit spanjolli do të japë maksimumin për skuadrën nga Maranelo, që në rrjetet sociale evidenton rezultatet e Sainz: "3 gara dhe 3 pode për Karlos Sainz në 2024-ën. Cfarë fillimi sezoni!" – shkruan Ferrari në një postim, që është pasuar nga shumë mesazhe kundër zgjedhjes për t’u privuar nga spanjolli.

Ka shumë nga ata që vlerësojnë rezultatet, por shumë të tjerë përfitojnë për të kritikuar vendimin për të mos rinovuar me Sainz për të marrë Ljuis Hemilton. "Dhe ikën vitin e ardhshëm. Bravo djema", - shkruan me ironi një ndjekës, që merr edhe shumë ‘like’ nga të tjerët. "Ferrari nuk e meriton Karlos" apo "Tani e keni kuptuar se po largoni djaloshin e gabuar”, - janë komentet e tjera.

Disa të tjerë kujtojnë se në vend të Sainz nuk do të vijë dikush dosido, por “7 herë kampioni i botës". Përplasje mes tifozëve të Ferrarit, mes gëzimit për podet e Sainz dhe hidhërimit nga fakti që e dinë se do të largohet në fund të vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë