Biznes

T’i mbijetojmë CoVid-19: 9 hapa për t’u ndjekur nga sipërmarrësit turistikë

Nga Blerina Ago* - Do doja shumë mos të mos me duhej kurrë të shkruaja për turizmin në këtë situatë. Aktualisht industria e brishtë e turizmit në Shqipëri është në momentin e saj më të vështirë, i cili vjen pas një tragjedie shumë të rëndë të tërmetit të 26 Nëntorit.

Përpjekjet përherë e në rritje të sipërmarrësve të guximshëm shqiptarë, të cilët zgjodhën të investonin të ardhurat e tyre në turizëm, të shumë agjencive ndërkombëtare dhe institucioneve shtetërore në nivel qendror e vendor u tronditën sërish nga COVID-19, shpallur pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 11 Mars.
Ndërkohë që Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara parashikon 20% - 30% rënie të hyrjeve të turistëve ndërkombëtare.

Sigurisht, angazhimi im i gjatë në turizmin e aventurës më ka mësuar me të papriturat. Ato kanë ardhur jo vetëm prej ngjarjeve natyrore, por shpesh shkaktuar prej veprimeve të pamenduara dhe të kundërta të individëve të ndryshëm. Kur i kthehem pas gjithë eksperiencës sime kam pasur disa momente shumë kritike për t’u menaxhuar. Mund të duket habi, por në ato më të këqijat ka qënë shpresa që më ka mbajtur në këmbë, se gjërat do rregullohen e do shkojnë në vendin e vetë. Ajo ka qenë domethënëse në kapërcimin me sukses të sfidave. Me qëllimin për të parë jo vetëm problemet por edhe mundësitë gjatë kësaj rënie ekonomike, rendis më poshtë 9 hapa për t’u ndjekur në këtë periudhë të trazuar:

1 - Kryeni vlerësimin e brendshëm të sipërmarrjes suaj

Ju duhet të bëni një vlerësim të financave tuaja, operacioneve, burimeve njerëzore, komunikimit dhe marketingut. Prisni shpenzime të panevojshme. Mundoni të krijoni një plan financiar që e mban gjallë biznesin, duke patur në konsideratë që gjërat mund të bëhen edhe më keq se skenari më negativ në mendjen tuaj.

2 - Kontrolloni politikat tuaja të kancelimeve dhe bëhuni më fleksibël

Ju takon ju të vendosni nëse mund të përfitoni dhe krijoni një marrëdhënie afatgjatë me turistët tuaj për t’i ofruar mundësi për anulimin pa penalitet, duke i inkurajuar të zhvendosin prenotimet në datat e ardhshme. Konsideroni gjithashtu t'i lejoni ata të transferojnë prenotimet e tyre tek të tjerët si një dhuratë. Komunikoni në mënyrë të vazhdueshme me turistët duke i informuar hap pas hapi me masat që po merren dhe ndryshimet që ndodhin. Pavarësisht optimizmit që na karakterizon ne të komunitetit të turizmit, ky është momenti të tregoheni të ndershëm dhe realist me klientët tanë. Për momentin Shqipëria dhe një pjesë e botës janë komplet të izoluar dhe kjo që duket se s’ka për të ndalur në një të ardhme shumë të afërt.

3 - Mos pushoni njerëzit nga puna. Përpiquni të mbani afër stafin tuaj

Ne jemi industria e mikpritjes dhe eksperiencave. E di që gjëja e parë që shkon ndërmend për të ulur kostot është të pushoni stafin. Në këtë botë dixhitale i vetmi aset strategjik që na bën kompetitiv janë burimet tona njerëzore. Le t’i mbrojmë punëmarrësit tanë sa më shumë e mundur. Është e vështirë, por biznesi ynë është një hiç pa njerëzit tanë.

4 - Promovoni. Promovoni. Promovoni

Pavarësisht situatës tragjike mos pushoni së reklamuar dhe promovuar destinacionin tuaj. Shikoni nëse mund ta zhvendosni marketingun për t'u përqendruar te turistët që janë më afër jush. Njerëzit do të vazhdojnë të udhëtojnë dhe të krijojnë eksperienca, por do të udhëtojnë në distanca më të shkurtra. Nëse nuk keni një treg vendas shikoni nëse mund të krijoni një të tillë. Unë e di se jo të gjithë operatorët mund ta bëjnë këtë, është mjaft e vështirë t’i shesësh një shqiptari eksperiencën e të gatuarit të tavës së kosit, por gjeni një mënyrë të krijoni produkte që të mbështeteni në tregun vendas dhe atë përreth shtetit tuaj.

5 - Vazhdoni edukimin tuaj dhe të skuadrës suaj online

Bota dixhitale sjell për ju kurset online sipas nevojave tuaja dhe të skuadrës suaj. Aktualisht janë hapur falas shumë trajnime nga institucionet më të mira ndërkombëtare. Referojuni atyre dhe krijoni një plan edukimi në distancë për t’u ndjekur në javët në vazhdim.

Për shembull unë sot ndoqa një leksion nga Harvard Business School Online lidhur me menaxhimin e krizave këtu: https://info.online.hbs.edu/free-leadership-lesson-part-1?utm_medium=social&utm_source=facebook&utm_campaign=shackleton&sf119697410=1&fbclid=IwAR2M1DlYBqD2jërS9LQbV9MlDiMEr4dPrusFUORhAT2AYZNxtQY2BDca1sQ

Shumë leksione të tjera falas të mundësuara prej 190 universiteteve në mbarë botën i gjeni këtu: https://www.classcentral.com/report/new-courses-october-2018/ Gjithashtu Swiss Entrepreneurship Program po vendos në dispozicion shumë seminare në internet. Informacion gjeni këtu: https://www.facebook.com/SWISSEPAlbania/

6 - Mos ulni çmimet

Mendoj se turizmi shqiptar ka qënë gjithmonë i nënvlerësuar. Tani nuk është koha për ta përkeqësuar këtë situatë. Mos hyni në një luftë kush i ul çmimet më shumë. Thjesht mos e bëni këtë! Ruani çmimet tuaja dhe nëse numrat e klientëve tuaj po bien, rritini çmimet duke shtuar eksperienca dhe përvoja në turet tuaja.

7 - Konkurrentët tuaj tani duhet të jenë miqtë tuaj

Nuk është koha t’i shohni të ngjashmit tuaj si konkurrentë. Ata duhet të jenë parterët më të cilët bashkoni forcat për të kaluar këtë krizë. Bëni komunikime të shpeshta dhe telefonata/videotelefonata të përditshme. Zbuloni se si mund të bashkëpunoni për të zvogëluar kostot mes jush dhe për t’i shërbyer klientëve me standardin më të mirë. Sigurohuni që të gjithë sipërmarrësit në turizëm të hedhin të njëjtën valle apo t’i japin lopatës njësoj. Mundohuni të jeni në zë i vetëm jo vetëm për biznesin tuaj, por për Shqipërinë si destinacion.

8 - Përgatituni tani për krizën tjetër. Reflektoni çfarë keni mësuar

Covid-19 nuk është një sfidë e izoluar. Mund të ketë faza shtesë të epidemisë aktuale dhe epidemi të reja në të ardhmen. Edhe pse kriza po shpaloset, përgjigjet dhe ndikimet duhet të dokumentohen që të rishikohen më vonë dhe të nxirren mësimet. Situatat në zhvillim të shpejtë ekspozojnë dobësi organizative ekzistuese, si pamundësia për të marrë vendime të vështira, të cilat përbëjnë mundësi për përmirësim.

9 - Shikoni për mundësitë

Të gjitha krizat dhe situatat kaotike fshehin mundësi. Njerëzit janë më të hapur për partneritete, kështu që mund të studioni mundësinë të krijoni një bashkëpunim të ri me kushte më të favorshme së më parë. Gjeni cilat destinacione dhe tregje janë më të sigurta dhe tani keni kohë të punoni për produkte të reja. Shumë njerëz të talentuar do kenë nevoje për punë, kështu që ky është momenti të krijoni një rrjet bashkëpunimi me më të mirët në industri.

*Shkrimi është marrë nga profili në Facebook i autores


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë