Futboll

Thumbon Guardiola: Me 0-0 italianët mendojnë se janë në avantazh, e kundërta për ne

Gazeta Si – Finalja e Championsit nuk është një opsesion për Sitin dhe Pep Guardiolën. “Për mua është një ëndërr, sigurisht. Kur shkon në nivele të caktuara është një ëndërr, - tha Gurdiola në konferencë shtypi. - Edhe pse ka gjithmonë një përqindje të vogël opsesioni, të fitosh Championsin është një ëndërr”.

Ai ishte në stolin e Barcelonës në gjysmëfinalen e Championsit 2009-10, kur Mourinjo foli për ëndrrën zikaltër për fitoren në Madrid dhe opsesionin e Barçës për të triumfuar në kryeqytetin spanjoll. Tani Pep është larg Katalonjës, më i lirë, edhe pse e di mirë që te Siti e kanë marrë për të fituar për herë të parë trofeun europian.

Trajneri Guardiola dhe Haland, dy personazhet kryesore te Mançester Sitit. Gazeta Si, 10 qershor 2023

Në 2021-shin ishte afër, por u mund në finale nga Çelsi. “Çfarë do të thotë për ne të jemi favoritë? Nuk është diçka e pazakonshme… Ndeshjen e kemi përgatitur si gjithë të tjerat e sezonit, nuk kontrolloj dot opinionin e njerëzve. Nuk mendoj se jemi favoritë, ashtu siç nuk mendoj që Interi ka fituar më shumë se ne në nivel europian: rëndësi ka vetëm kush do të luajë më mirë.

Jemi të lumtur që jemi në finale, ka një atmosferë të bukur, presim mbështetje të madhe nga tifozët tanë. Nuk mund ta fsheh që ndjej fluturat në stomak dhe që do të lëvizin më shumë para nisjes së ndeshjes. Është vetëm një ndeshje futbolli, por nuk arrin shpesh në këtë pikë të një turneu Championsi. Nëse fitojmë, do të jemi skuadra më e fortë në Europë, në të kundërt e dytë më e fortë”.

Kur ka folur për anën teknike të ndeshjes, Guardiola nuk i ka kursyer thumbimet: “Interi është mësuar jo vetëm të mbrojë. Skuadrat italiane dinë t’i mbulojnë mirë hapësirat, Interi ka edhe qëndrueshmeri dhe del mirë edhe kur i bëhet presion. Mund të na godasë me sulmuesit, janë të zotët në zotërim topi dhe në sulmet nga krahët e në qendër. Nëse gabojmë diçka, na vënë në vështirësi.

Duhet gabuar sa më pak të jetë e mundur dhe të mbrohemi lart. Të ndjekësh një plan ndeshje të jep stablitet dhe të dish çfarë duhet të bësh është e rëndësishme, por ka raste që ndeshjet ‘çmenden’ dhe duhet të futësh gjithë sulmuesit ose gjithë mbrojtësit. Kur bien poshtë skemat, është vetëm dëshira për të fituar.

Në fillim gjithsesi duhet një plan ndeshje, duhet durim dhe duhet respektuar ajo që është përgatitur, edhe pse 0-0 ndaj një skuadre italiane… Dhe me 0-0 italianët mendojnë se janë në avantazh, kurse për ne është e kundërta”.

Për Haland, që ka shënuar vetëm 1 gol në 7 ndeshjet e fundit, Guardiola tha: “Nuk flas për statistika, tek ai nuk kam dyshime, do të na ndihmojë të fitojmë Championsin. Si marr më të mirën prej tij dhe Mesit? Duke u shpjeguar se nuk mund të bëjnë gjithçka vetëm dhe se duhen ide të përbashkëta. Janë lojtarë të mëdhenj që vendosin fatet e trajnerëve, të cilët nuk mund të shënojnë gol”.

Trajneri Inzagi ne stervitjen e fundit para finales. Gazeta Si, 10 qershor 2023

Në anën tjetër, trajneri i Interit, Simone Inzagi, theksoi në konferencën për shtyp se skuadra e tij duhet të bëjë gjithçka mirë për të shkuar te trofeu. “Duhet të luftojmë në çdo centimetër të fushës për të përballuar Mançester Sitin. Nuk e kemi frikë kundërshtarin, do të bëjmë ndeshjen tonë. Në këtë finale duhen këmbët, mendja dhe zemra për të fituar”, - tha trajneri italian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë