Njerez

Theu karantinën për të luajtur tavëll, i papuni nuk paguan dot gjobën tani

Arjan Goseni është nga Kombinati. Ai ka marrë gjobë për shkelje të kufizimeve. Si shumë të tjerë, 46 vjeçari mezi ka pritur hapjen e fashës për të shkuar në polici. Me gjobën në dorë, burri pret në polici të kundërshtojë aktin administrativ të policisë, që e ndëshkoi me 10 mijë lekë. Fleta e gjobës tregon se burri po luante tavëll poshtë shtëpisë dhe nuk po ruante distancën me bashkëlojtarin që është fqinji i tij.

Foto; Gjoba e vendosur nga policia

Arjani tregon për gazetën “Si” se, edhe sikur të zbatohet gjoba, ai nuk ka asnjë mundësi ekonomike ta paguajë. “Isha poshtë pallatit. Ora 10.00, erdhi policia sikur çfarë kishte ndodhur. Më vunë gjobë. Po luaja tavëll poshtë shtëpisë. Më thanë se pse nuk respekton distancën".

46 vjeçari, para Covid -19, punonte në të zezë.

"Punoja me gipset, në të zezë. E humba punën. Kush do të bëjë gipse në këtë gjendje. Por unë nuk kam lekë. Kam ndenjur brenda nuk kam dalë. U jam bindur. Mua më gjetën që jam hallexhi!?". Ai sqaron për gazetën se ankimoi menjëherë gjobën dhe se e kanë thirrur në komision për ta dëgjuar. “Edhe nëse nuk më dëgjojnë, le ta mbajnë në fuqi gjobën, me çfarë do ta paguaj, ku e di unë”, shfryn ai.

Po a luan më tavëll pas gjobës ? “Cfarë tavlle do luaj,- shton Goseni, - nuk më gjobitën për tavllën, por që nuk po ruaja distancën”. Megjithatë, gjoba vërteton se babai i dy fëmijëve ka reflektuar pasi shpesh pyet sesa është ora.

"Aman se u bëmë me hije, mos më kapin prapë e më vënë gjobë, duhet të më kapë ora e karantinës në shtëpi”

Një tjetër i ri pret gjithashtu të dalë para komisionit. Ai u gjobit si këmbësor pasi ishte jashtë shtëpisë përtej fashës së urdhëruar. "Po derdhja plehrat, po iku kjo punë tani. Më kapën, tani unë do bëj timen kam ardhur ta kundërshtoj", thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë