Biznes

Themeluesi i Alibaba blen Bruklin Nets për një shifër rekord

Sa paguajnë biznesmenë të ndryshëm për të qenë pronarë të një klubi sportiv? Shumë, vërtet shumë. Zhosef Tsai, bashkëthemeluesi i Alibaba-s, një kompani e famshme për shitjet online, ka vënë mbi tavolinë 2.11 miliardë euro për të qenë pronari i ri i ekipit amerikan të basketbollit, Bruklin Nets. Kjo është shifra më e lartë e paguar ndonjëherë për një skuadër, pavarësisht llojit të sportit.

Për këtë shifër është rënë dakord që në vitin 2018, kur manjati i lindur në Taivan, por me nënshtetësi kanadeze, u bë ortak i Mikhail Prokhorov, pronarit rus të Nets që prej vitit 2010. Tsai një vit më parë bleu 49% të aksioneve për 900 milionë euro, me klauzolën për të blërë më pas pjesën e mbetur të aksioneve, pra 51%, për shifrën totale të 2.11 milionëve brenda verës së vitit 2021. Ai e ka marrë vendimin 2 vjet përpara kohe dhe gjithçka është mbyllur.

Zhozef Tsai, duke ndjekur një ndeshje basketbolli me familjen. Gazeta Si, 15 gusht 2019

Tsai, i cili sipas revistës “Forbes” ka një pasuri prej 9.9 miliardë eurosh, e di mirë që investimi te Nets do t’i kthehet pas. Kur ai u bë bashkëpronar, Bruklin ishte një nga skuadrat më të dobëta, kurse tani është nga më premtueset. Me Kevin Durant dhe Kyrie Irving mendohet se të ardhurat nga shitja e biletave dhe marketingu do të shtohen të paktën në vlerën 10%. Por arsyet e investimit të Tsait nuk janë vetëm sportive. Nets janë skuadra e dytë e Nju Jorkut, vendi më i mirë në Amerikë për basketbollin. Blerja e dy yjeve do të bëjë që të rritet interesi për Bruklin. Transformimi i një skuadre në ndërtim e sipër në një skuadër titulli jep garanci për rritjen e të ardhurave, duke nisur nga e drejta televizive lokale. Pastaj është edhe tregu ndërkombëtar. Me Tsain pronar, Nets do të fitojë famë edhe në Azi, duke ditur që biznesmeni ka lidhje të ngushta me qeverinë kineze. Kështu, Nets mund të bëhen skuadra e referimit në gjigantin aziatik, ku NBA ka më shumë se 300 milionë ndjekës në rrjetet sociale, ndërsa basketbolli praktikohet nga më shumë se 400 milionë persona.

Biznesmeni Zhozef Tsai. Gazeta Si, 15 gusht 2019

Investimi i Tsait te Bruklin Nets pritet të rritet edhe më shumë me kalimin e kohës. Edhe pse janë blerë për një shifër rekord, Nets janë ende larg të qenit skuadra sportive që vlen më shumë. Ky primat i përket prej vitesh Dallas Kaubojs, që vlen 4.49 miliardë euro. Ndër skuadrat me vlerën më të lartë në NBA janë edhe Los Anxheles Lejkërs me 3.32 miliardë dhe Golden Stejt Uarriors me 3.5 miliardë. Rasti i Nets konfirmon faktin se NBA është vërtet një kampionat ideal për të bërë biznes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë