Lajme

Themelohet Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë

Trupa dilplomatike e Shqipërisë e cila është tërhequr nga shërbimi, do të ketë një organizatë nëpërmjet të cilës, ish-diplomatët mund të japin kontributin e tyre për politikën e jashtme të vendit.

Organizata mban emrin Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dhe sipas asaj që bëri të ditur kryetari i saj, Besnik Mustafaj, kjo është një organizatë e pavarur, jofitimprurëse sipas modelit që kanë organizata të tilla në vende demokratike.

“Për arsye të moshës, por shpesh edhe për arsye të vendimeve politike të pushtetit të radhës, shumë nga këto personalitete që kanë mbajtur me nder mandatin e përfaqësimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, janë tashmë jashtë sistemit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky fakt nuk e zhvlerëson aspak përvojën e tyre të pasur në fushën e politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u themelua pikërisht me qëllimin e mirë për të vënë përvojën e çmuar të këtyre personaliteteve në shërbim të kauzës së integrimit të pakthyeshëm”, u shpreh Mustafaj gjatë fjalës së tij.

Fusha e veprimtarisë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë do të jenë të gjera.  CAA do të kryej analizën e historisë së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare me qëllim rivlersimin e traditës së mirë, por do të kryej edhe analiza bazuar mbi çështjet aktuale, për të ndihmuar në përmirësimin e praktikës dhe strategjive diplomatike të shtetit shqiptar.

Gjatë mbledhjes së parë të kësaj organizate, anëtarët e saj shprehën gadishnërinë për të ndërtuar një bashkëpunim të mirë me institucionet shtetërore dhe veçanërisht me Ministrinë e Punëve të Jashtëme.

Gjithashtu sipas deklaratës të bërë nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, kjo organizatë do të kërkojë të zhvillojë një dialoh të përherëshëm me përfaqësitë diplomatike të vendeve mike si dhe me delegacionet e organizatave ndërkombëtare të akredituara në Tiranë. Sipas kësaj organizate një dialog i tillë do t’i ndihmojë diplomatët miq t’i njohin më mirë historinë, kulturën dhe aspiratën e shqiptarëve dhe Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë