Lajme

“The Sunday Times”: Rama në ballë të luftës me bandat para hapjes së negociatave

Përpjekjet e Shqipërisë për të marrë miratimin e vendeve të BE për hapjen e negociatave në qershor po pasqyrohen shpesh në mediat e huaja.

Britanikja “The Sunday Times” ka zhvilluar një intervistë me Kryeministrin Rama pak ditë para Samitit të Sofjes dhe vendimit përfundimtar të BE për negociatat.

Për shkak të zhvillimeve të fundit në vend, “The Sunday Times”, e ka cilësuar javën e kaluar “si të vështirë” për Kryeministrin shqiptar.

“Edi Rama është në ballë të luftës kundër bandave shqiptare të drogës. Disa ditë më parë ish ministri i Brendshëm i qeverisë “Rama” dha dorëheqjen si deputet, pasi po përballet me akuzat për përfshirje në një bandë kriminale, ndërsa ministri që e zëvëndësoi atë në detyrë po përballet me akuza për shkak të një lidhjeje familjare me trafikantët e drogës” – shkruan “The Sunday Times”.

Artikulli i britanikes më tej vijon duke konstatuar se shqetësimet për Ramën kanë ardhur në një kohë të keqe, vetëm pak ditë para një samiti kyc për strategjinë e Ballkanit në Evropë, ndërkohë që vendet Perëndimore kanë ngritur shqetësimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në lidhje me shqetësimin që ka ngritur Britania për bandat kriminale, “The Sunday Times” shkruan se Rama pranon se ka një problem dhe ka premtuar të punojë ngushtë me policinë britanike, por ai e cilëson “mit” idenë se vendi i tij është një narko-shtet që strehon kriminelët më të rrezikshëm të drogës në Evropë.

Kryeministri shqiptar ka deklaruar se po punon fort për ta ndryshuar këtë perceptim, por “nuk është e lehtë” është shprehur ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë