Analize

The Economist: Shqipëria ngel në klasë dhe kalon Maqedonia

Shqipëria mori një goditje të rëndë të mërkurën nga Holanda, parlamenti i së cilës votoi kundër hapjes së negociatave me vendin tonë. Kjo lëvizje e Amsterdamit ka zbehur shpresat e vendit tonë për të marrë dritën jeshile më 18 qershor, por lëvizjet e fundit në Bruksel sinjalizojnë se një vendim zyrtar nuk ka gjasa të merret përpara shtatorit. Megjithatë “Jo”-ja e Holandës dhe kriza politike në Shqipëri ka bërë që shumë vende anëtare ta konsiderojnë vendimin e hapjes së negociatave me vendin tonë në mënyrë të ndarë nga hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë që perspektiva e Shqipërisë errësohet dita-ditës, një sërë zyrtarësh të lartë europianë, mediesh dhe vende anëtare janë duke i bërë thirrje Bashkimit Europian për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut. Gazeta britanike, “The Economist” e cilëson shtyrjen e bisedimeve me Maqedoninë si një vendim mizor, por thotë se për Shqipërinë do të ishte një vendim i justifikuar. Ndërsa kryeministri çek Andrej Babis i kërkoi Bashkimit Evropian të mbajë fjalën dhe të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut, por nuk përmendi bisedimet me Shqipërinë.

“Maqedonia e Verit ka mbajtur një referendum, ka ndryshuar emrin, Kushtetutën, ndërmori reformat dhe politikanët evropianë i kanë premtuar hapjen e negociatave. Tani është radha e tyre të mbajnë fjalën", tha kryeministri Çek. Ai është një nga zyrtarët europianë që po lobon më së shumti në emër të Shkupit, por Tiranën, shumica e vendeve pro-zgjerimit duket se kanë humbur shpresat.

Pas orë pasi presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk pranoi se bisedimet e pranimit me Shkupin dhe Tiranën mund të shtyhen në vjeshtë, Partia e Gjelbër Europiane kërkoi me ngulm pranimin e Shkupit, duke theksuar se mbyllja e dyerve për Maqedoninë fqinje do të ishte një gabim historik.

Zoran Zaev dhe Jean Claude Juncker

"Partia e të Gjelbërve Europian i kërkon urgjentisht të gjitha shteteve anëtare të BE-së që të ndihmojnë në hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Bllokimi i këtij vendimi të rëndësishëm tani do të nënkuptonte kryerjen e një gabimi të përmasave historike. Kjo do të sillte pasoja jashtëzakonisht negative për sigurinë europiane, për stabilitetin në Ballkan dhe për kredibilitetin e BE-së në skenën ndërkombëtare. Kjo do të përbënte gjithashtu një tradhti të tmerrshme të popullit të Maqedonisë së Veriut ", tha Bashkëkryesuesi i partisë Reinhard Bütikofer.

"Nëpërmjet veprimeve të saj gjatë dy viteve të fundit, qeveria maqedonse ka demonstruar qartë besimin e saj në demokracinë europiane, gatishmërinë e saj për të hapur derën drejt procedurave të pranimit dhe aftësinë e saj për të dhënë premtimet që i ka bërë BE. Kjo politikë është justifikuar nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut dhe i mbështetur nga populli i vendit. Maqedonia e Veriut së bashku me fqinjin e saj, Greqinë, demonstruan se bllokadat nacionaliste mund të kapërcehen dhe rritën e shpresat e integrim eventual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Natyrisht, kjo rrugë nuk do të jetë e lehtël. Do të duhet kohë dhe përpjekje dhe pa zbatimin e plotë të kritereve të Kopenhagës, anëtarësimi do të jetë i pamundur. Por Maqedonia e Veriut ka fituar përmes veprimeve të saj, të drejtën për të filluar më në fund bisedimet e anëtarësimit për përfshirjeje e plotë në familjen europiane ", shtoi Bütikofer. Sipas tij, qeveritë e shteteve anëtare duhet të përmbahen dhe të tregojnë të paktën gjysmën e guximit që treguan qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Shumica e vendeve anëtare duket të bindura për përparimin e Maqedonisë së Veriut, por janë shprehur mjaft skeptike kur bie fjala tek Shqipëria. Goditja më e rendë ndaj shpresave të vendit tonë erdhi nga Holanda, parlamenti i së cilës votoi mbrëmjen e së mërkurës kundër hapjes së negociatave. Sikur të mos mjaftonte kjo, situata nuk duket aspak pozitive as edhe në Parlamentin gjerman, i cili duket se ta marrë vendimin në vjeshtë.

Por sipas gazetës britanike “The Econimist” këto probleme nuk duhet të shkëpusin vëmendjen nga përparimi i jashtëzakonshëm në Maqedoninë e Veriut. Sipas gazetës prestigjioze, pas viteve të tëra autoritarizmi, qeveria e re, e udhëhequr nga Zoran Zaev, ka filluar të luftojë korrupsionin dhe reformimin e gjyqësorit. “Në një rajon të ndarë nga grindjet etnike, sllavët dhe shqiptarët gëzojnë marrëdhënie të mira. Mbi të gjitha, vitin e kaluar qeveria e Zaev nënshkroi marrëveshjen e Prespës me Greqinë, duke i dhënë fund pengesave për integrimin e vendit”, shkruan “The Economist”.

Për të filluar bisedimet e anëtarësimit me një vend kandidat, çdo qeveri e BE duhet të japë miratimin e saj. Deri tani Franca dhe Holanda kanë qenë pengesat kryesore jo vetëm për vendin tonë, por edhe për Maqedoninë e Veriut.

Edi Rama dhe Johannes Hahn

Por tani që Macron duket se është zbutur, një pengesë e re është shfaqur në Gjermani. Qeveria e Angela Merkelit është mjaft e përçarë për nisjen e negociatave, ndërkohë që deputetët e Bashkimi Kristian Demokratik po bëjnë rezistojnë në veçanti për hapjen e negociatave me vendin tonë. “Ata thonë se kanë nevojë për më shumë kohë për të shqyrtuar me kujdes progres-raportin. Disa nuk besojnë se sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka bërë përparime, të tjerë thonë se vendimi i anëtarësimit të Shkupit dhe Tiranës duhet të merret në mënyrë të shkëputur. Të tjerët thjesht duan të sfidojnë vullnetin e zonjës Merkel”, shkruan “The Economist”.

Sipas gazetës britanike, plani fillestar i Brukselit ishte hapja e negociatave me të dyja vendet në samitin e 18 qershorit, por ky afat është tani për tani i paarritshëm.

“Kjo duket e pamundur tani për tani. Samit i udhëheqësve europianë mund të mblidhej në korrik, ku sigurisht negociatat me Maqedoninë e Veriut do të hapen. Por Bundestagu së shpejti do të fillojë pushimet e verës, kështu që mundësi tjetër do të jetë në tetor”, shkruan “The Econimist”.

Gazeta britanike shkruan se çdo ditë e humbur është e rrezikshme për qeverinë e kryeministrit Zaev, por se për qeverinë shqiptare, shtyrja e negociatave do të ishte e justifikuar.

“Nëse shtyhen negociatat, votuesit maqedonas do të jenë mjaft skeptikë. Opozita do të hidhet në sulm në shenjën e parë të dështimit. Për më tepër, deri në vjeshtë Greqia ka të ngjarë të ketë një qeveri të re që do të përballet me presionin e votuesve që ishin kundër marrëveshjes së Prespës. Ndërsa shtyrja e negociatave me Shqipërinë, e cila mbetet politikisht e paqëndrueshme, do të ishte e justifikuar”, shkruan “The Economist”. “Më gjerësisht, për BE-në, thyerja e këtij premtimin do të nxisë nacionalistët të thonë se evropianëve nuk mund t’u zihet besë. Fuqitë e tjera ai Rusia, Kina dhe Turqi, do të turren drejt rajonit. Të refuzosh Maqedoninë e Veriut do të ishte mizore dhe e gabuar”, përfundon gazeta britanike.

Zgjerimi i BE-së është bërë një ‘patate e nxehtë’ për Brukselin dhe për shtetet anëtare. Media e njohur e Parlamentit Europian “EURACTIV” organizoi një debat më 5 qershor, ku diplomatët dhe gazetarët folën lirshëm për ngurrimin e disa shteteve anëtare për pranimin e Tiranës dhe Shkupit në union.

Diplomatët e BE-së i kanë thënë “Euractiv” se ditët e ardhshme pritet të ketë shumë presion mbi Komisionin Europian për ta bindur për “mbylljen e dyerve” edhe këtë vit.

“Disa thonë nuk mendojmë se Shqipëria është gati të hapë negociatat në këtë fazë, edhe pse e pranojnë nevojën për të shpërblyer hapat e mëdhenj që Tirana ka bërë”, shkruan kjo media. Shqipëria duket se ka marrë “bekimin” e kreut të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili njoftoi të marën se vendimi mbi çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mund të merret muajt e ardhshëm.

Edi Rama dhe Jean-Claude Juncker

“Shqipëria ka bërë një progres të konsiderueshëm në rrugën e saj drejt BE-së. Ky është një testament i vendosmërisë e forcës së popullit shqiptar si dhe angazhimit personal të kryeministrit ndaj reformave”, deklaroi ai në një konference me kryeministrin Edi Rama.
Juncker përmendi faktin që 88% e qytetarëve shqiptarë kanë ndjesi pozitive për bllokun europian dhe 92% e mbështesin objektivin e anëtarësimit, çka e bën Shqipërinë një prej vendeve europiane me përkrahjen më të fortë për BE-në.

Duke cituar raportin pozitiv të Komisionit Europian, numri një i tij theksoi se Shqipërisë i duhet dhënë drita jeshile për nisjen e negociatave, nisur dhe nga fakti që çdo vendim i tillë bazohet në merita e rezultate të prekshme në fusha të caktuara.

Megjithatë, kishte edhe një por. Sipas Junckerit, ka disa pengesa që duhet kapërcyer sepse disa vende anëtarë të bllokut nuk janë në favor të një lëvizjeje të tillë.
“Puna nuk përfundon në qershor, pavarësisht vendimit të Këshillit të Ministrave”, shtoi Juncker.

Të njëjtën gjë kishte pohuar më herët edhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili tha se mbështet hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por paralajmëroi se jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian pajtohen me këtë vlerësim.

Një nga gjërat që po shkakton shqetësim aktualisht në BE është situata aktuale politike, pas njoftimit të presidentit Meta se do të anulojë zgjedhjet e 30 qershorit. Kreu i KE-se tha se njerëzve nuk u duhet ndaluar ushtrimi i të drejtave të tyre demokratike. “Nuk ia bllokon dot popullit shqiptar mundësinë për tu shprehur, mendoj se zgjedhjet duhet të zhvillohen sipas planit. Nëse jo, kjo mund ta shtyjë perspektivën europiane të Shqipërisë, theksoi Juncker.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë