Politike

Thaçi-Vuçiç firmosin për hekurudhën dhe autostradën Serbi-Kosovë

Dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçi të premten në Mynih nënshkruan letrën e shprehjes së interesit, nëpërmjet së cilës Kosova dhe Serbia shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja hekurudhore dhe automobilistike për të lidhur dy shtetet me njëra-tjetrën, por edhe me rajonin.

Prezent ishte edhe i dërguari special për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell. Në ceremoninë e mbajtur gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynh, ishin edhe Ambasadori Amerikan në Kosovë Philip Kosnett dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën Marko Gjuriç.

Duke folur pas ceremonisë së nënshkrimit, Thaçi ka thënë se marrëveshja nënkupton paqe dhe zhvillim ekonomik për rajonin.

“Marrëveshja e sotme është një hap progresi pas rikthimit të linjave ajrore Prishtinë-Beograd. Marrëveshja e sotme e hekurudhave dhe autostradave është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë për paqe, zhvillim ekonomik, progres dhe vende pune, të cilat i duhen njerëzve tanë në Kosovë dhe Serbi”, ka thënë ai.

Ndërkohë Presidenti Vuçiç ka falënderuar presidentin amerikan Donald Trump duke thënë se marrëveshja do të jetë një tjetër hap drejt stabilizimit të rajonit.

“ Po ashtu, ky është një lajm i mirë për lëvizjen e lirë të mallrave”, deklaroi Vuçiç para gazetarëve. “Nuk ka qenë e lehtë andaj jam i lumtur kur e shoh arritjen që kemi bërë sot falë jush zoti Grenell. Mendoj se ky është një hap drejt stabilizimit të rajonit”, shtoi ai.

Marrëveshja vjen vetëm një muaj pas nënshkrimit të paktit për rikthimin e fluturimeve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit. Gjuriç u shpreh se sot ishte një ditë e rëndësishme për lidhjen e kryeqytetit serb dhe “qytetit më të madh në provincën jugore serbe”.

“Hekurudha midis Prishtinës, Podujevës dhe Merdarës do të vazhdojë të rindërtohet në drejtim të Nishit. Falë kësaj hekurudhe mallrat nga Serbia qendrore, do të mund të arrijnë në Kosovë shumë më shpejt” u shpreh ai.

Richard Grenell deklaroi nga ana tjetër se dy presidentët kanë rënë dakord se fokusi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë aspekti ekonomik.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të thuhet se kur presidenti Trump kërkoi angazhimin tim për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ai është person krenar në ekonominë amerikane dhe mënyrën si ekonomia e suksesshme amerikane ka sjellë ndryshime pozitive”, tha ai.

 

Më Shumë