Lajme

Thaçi në Ujman, ushtria serbe në gadishmëri – Protestë në Prishtinë

Lëvizja "Vetëvendosje" thirri në Prishtinë një protestë masive kundër Presidentit Hashim Thaçi, me sloganin “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”. Kjo protestë kundërshton idenë e Thaçit për ndryshim kufijsh, protestë e cila përkrahet edhe nga disa deputetë të LDK-së.

Mësohet se Njësitet Policore ROSU kanë kryer një operacion kontrolli në pjesën veriore të Kosovës pikërisht në kohën kur në Prishtinë po fillonte protesta e organizuar nga "Vetëvendosje" kundër Presidentit Thaçi.

Duke vizituar Liqenin e Ujmanit, ku ka drejtuar personalisht një barkë me motor, Thaçi ka mbajtur edhe një konferencë për media duke thënë se po viziton pasuritë natyrore të Kosovës. Largimin e tij dhe të pjesëtarëve të njësisë speciale e kanë konfirmuar zyrtarë të komunave veriore. Stevan Vulovic, kryetar i Komunës së Zubin Potokut ka thënë se njësitë speciale të policisë (ROSU) janë tërhequr nga Zubin Potoku dhe se nuk ka asnjë serb të arrestuar. Se nuk ka pasur të arrestuar e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Presidenti Hashim Thaçi, drejton vetë një varkë, gjatë vizitës në Liqenin e Ujmanit

Lidhur me vizitën e Thaçit në Ujman ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Nga zyra e tij njoftohet se Vuçiç ka dhënë urdhër që ushtria e Serbisë të vihet në gjendje gatishmërie për luftë, “pasi Njësitet Speciale kanë kryer ndërhyrje në veri të Kosovës”.

Vizita e Thaçit në Ujman ka ardhur në kohën kur në Prishtinë organizohej një protestë masive kundër idesë së tij për ndryshim të kufijve të Kosovës. Protesta e thirrur nga Lëvizja “Vetëvendosje” nisi në orën 14:00 me slloganin "Një popull s'i nënshtrohet një njeriu", ndërsa qytetarë nga e gjithë Kosova kishin mbushur rrugët e sheshet e Prishtinës. Protestën e Vetëvendosjes e përkrahnin edhe deputetë të Lidhje Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe deputeti i pavarur Korab Sejdiu.

Lideri i "Vetëvendosjes", Albin Kurti gjatë protestës në Prishtinë

Gjatë marshimit në shesh, lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti u shpreh se gjesti i Hashim Thaçit, që ka vizituar Liqenin e Ujmanit, mund të ketë pasoja tragjike. “Gjest dëshpërues i një personi të vetmuar. Sot, populli është në shesh të Republikës, për ta mbrojtur Republikën. Gjestet e tij janë komike, por mund të ketë pasoja tragjike”, ka thënë Kurti për mediet vendore. Sipas Kurtit, Thaçi i bën gjërat me kokë të vet, për ta shpëtuar kokën e vet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë