Politike

Thaçi mbërrin në Tiranë: Do të flas të dielën për aktakuzën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbërritur sot aeroportin Nënë Tereza, nga ku e nisi atë që duhet të ishte vizita më e rëndësishme tij.

Pas dy ditësh bllokimi në Vjenë, ai mësohet se ka fluturuar nga kryeqyteti austriak, ku ndaloi pas publikimit të aktakuzës për krime lufte dhe mbërriti me çarter në Rinas, pasi aeroporti i Prishtinës është i mbyllur për shkak të pandemisë. Në një postim në Facebook, ai tha pas ndalesës në Shqipëri, ku nuk dihet nëse do të zhvillojë takim me kryeministrin Edi Rama apo presidentin Ilir Meta, do t'i drejtohet të dielën kombit në një fjalim nga zyra e tij.

Thaçi ishte nisur nga aeroporti Nënë Tereza drejt Shteteve të Bashkuara, por u detyrua të qëndronte në Vjenë, kur Zyra e Prokurorit Special në Hagë publikoi të mërkurën aktakuzën për krime lufte kundër tij, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa ish luftëtarëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

"Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara", shkruan Thaçi në Facebook.

Pak pas reagimit të tij, një tjetër reagim ka ardhur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ka komentuar për herë të parë aktakuzën kundër Thaçit. Vuçiç ka deklaruar se më e rëndësishme për Serbinë është të tregojë përmbajtje ndaj kësaj situatë.

"Ne e dimë që kanë ndodhur krime të tmerrshme. Më shumë se çdo gjë tjetër, ne duhet të tregojmë vetëpërmbajtje, pasi kështu mbrojmë popullin serb në Kosovë nga çdo dhunë, incident dhe sulm", ka thënë Vuçiç para mediave në Bruksel, ku po qëndron për vizitë zyrtare gjatë së cilës ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë evropianë.

Ndërkohë,  kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, janë plotësisht të pavërteta dhe janë të nxitura politikisht.

 “Nuk ka kurrfarë baze për pretendimet se unë dhe presidenti kemi penguar punën e gjykatës. Dhe është shqetësim i thellë gjuha e përdorur në këto deklarata të pavërteta”, ka thënë Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të enjten në Bruksel se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe se Prishtina, sipas tij, ka një maturi të duhur institucionale për të tejkaluar çdo situatë me të cilën përballet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë