Politike

Thaçi mandaton me “pahir” Albin Kurtin

Hashim Thaçi ka mandatuar me “pahir” Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re në Kosovë duke i lënë këtij të fundit afatin që brenda 15 ditëve të paraqesë në Kuvend kabinetin e tij për të marrë votëbesimin.

Presidenti i Kosovës thotë se ka nënshkruar ditën e shtunë aktin që i jep zyrtarisht të drejtën për themelimin e Qeverisë Albin Kurtit, si kryetari i partisë së parë në zgjedhjet e tetorit.

“Dua të shpresoj dhe e them përsëri që të mos vazhdojë të mbetet vendimi im që e kam nënshkruar që Albin Kurti është nominuar si kandidat për Kryeministër. Kështu që nënshkrimi im në vendimin për mandatar ekziston dhe është në tavolinën time”, tha Thaçi.

Thaçi kërkoi nga partitë politike që t’i japin fund ngërçit.

“Kjo rrjedhojë e zhvillimeve politike, përgjigjen e kërkon nga adresat e partive politike. Prandaj, dua të shpresoj në përgjegjësitë shtetërore, respektimin e vullnetit qytetar dhe të mos hyjmë në fazë të e një ngërçi, apo një refuzimi të institucioneve”, deklaroi ai.

Mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti u zhvillua një takim më 6 janar. Por, Thaçi e përshkroi atë takim si takim i vullnetit të mirë, ku nuk i dorëzoi zyrtarisht mandatin për formimin e Qeverisë së re.

Nga ana tjetër, Vetëvendosje ka deklaruar se do të dorëzojë sa më shpejt emrin e kandidatit për Kryeministër në Presidencë dhe kërkoi nga Thaçi që të mos ushtrojë presion.

Mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka patur bisedime të gjata, por që nuk kanë prodhuar një marrëveshje. Shkak është bërë posti i kryetarit të Kuvendit, që në seancën konstituive u zgjodh Glauk Konjufca i VV. LDK kërkon që Konjufca të japë dorëheqjen dhe ky post t’i kalojë kësaj partie, ndërsa Vetëvendosje i ka propozuar 6 ministri dhe postin e Presidentit, me kërkesën për të hequr dorë nga posti i kryeparlamentarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë