Politike

Tetë ministret, letër Holandës: Forca të errëta kundër Shqipërisë, ndizni dritën jeshile

Tetë ministre të qeverisë Rama i janë drejtuar zyrtarisht Parlamentit të Holandës duke i kërkuar që të marrin në konsideratë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave. Ministret Olta Xhaçka, Ogert Manastriliu, Etilda Gjonaj, Anila Denaj, Elisa Spiropali, Belinda Ballaku dhe Elva Margariti.
"Ju lutem pranoni këtë letër nga ministret e qeverisë shqiptare. Ashtu sic shkruhet në këtë letër ne jemi krenare të ndajmë me ju faktin që vetëm pak ditë më parë , OKB-ja e njohu Shqipërinë si njërën prej pesë vendeve të globit me kabinetin më të balancuar gjinor. 8 nga 15 ministritë në Shqipëri drejtohen nga ministre gra. Si nëna, si motra dhe si gra që luftojmë për familjet tona dhe vendin tonë, ne do të donim të shtronim tek ju një çështje që na shqetëson shumë të gjithëve, e cila ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët- perspektiva evropiane e vendit tonë. Në Shqipëri ka një admirim për Holandën, si një komb me tradita të mëdha dhe një rekord të guximit politik e tolerancës shoqërore. Në rrugën e demokracisë ne hymë vetëm 30 vjet më parë, pas 5 dekadash të gjata e të errëta, si një lloj Koreje europiane e Veriut. Shpresojmë ta kuptoni se sa e vështirë është beteja jonë, të cilën nuk mund ta fitojmë të vetëm, dhe disa nuk duan që ne ta fitojmë, përfshirë dhe një pjesë këtu në vendin tonë”, thuhet në këtë letër.

Faksimile e letrës së tetë ministreve të qeverisë Rama drejtuar Parlamentit dhe Senatit të Holandës

Gjithashtu ministret në letrën e tyre shprehen edhe për forca të errëta që duan të pëfitojnë nga refuzimi i çeljes së negociatave.

“Dështimi i përpjekjeve tona për të çelur bisedimet e anëtarësimit është çmimi më i madh për këto forca të errëta. Ne nuk kërkojmë që të ndryshoni pikëpamjet tuaja, thjesht duam që të bashkoheni me kombet e tjera të Europës duke i shtrirë dorën Shqipërisë dhe të na lejoni t’i çojmë këto përpjekje tonat në të një tjetër nivel", thuhet ndër të tjera në letër.
Ato kërkojnë që të njihen meritat siç i bëri edhe Bundestagu gjerman. "Shpresojmë që ju të njihni arritjet tona siç i njohu parlamenti gjerman. Një dritë jeshile për çeljen e bisedimeve do të ishte një sinjal i fortë për mijëra shqiptarë të ndershëm dhe punëtorë në administratë që po luftojnë natë e ditë. Do të ishte një sinjal i fortë për miliona shqiptarë si dhe për të rinj”, thuhet në letër.
Gjithashtu jepen edhe disa nga arritja në luftën kundër krimit të organizuar dhe lëndëve narkotike, si dhe theksohet se misoni Frontex është instaluar në vendin tonë dhe po patrullon kufijtë për të ndaluar emigrimin e paligjshëm.
Parlamenti i Holandës diskuton për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në një moment kur në këtë vend zërat kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë janë forcuar dhe thuhet se Shqipëria nuk është ende gati.

Faksimile e letrës me firmat e tetë ministreve të qeverisë Rama drejtuar Parlamentit dhe Senatit të Holandës

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë