“El Clasico” e shtyrë nga java e 10-të e kampionatit, është mbyllur pa gola dhe rrjedhimisht edhe pa fitues. Nuk ndodhte prej 17 vjetësh në sfidat mes dy skuadrave që dominojnë jo vetëm futbollin spanjoll, por edhe atë europian, që të mos shënohej asnjë gol. Pas këtij barazimi, Barcelona dhe Reali ndajnë kreun me pikë të barabarta, nga 36 secila skuadër.
Ndeshja ka qenë e një niveli të kënaqshëm dhe me raste shënimi për të dyja skuadrat. Barcelona ka kontrolluar lojën në minutat e para, ndërsa Reali ishte dominues pas gjysmës së pjesës së parë. Kasemiro, Kros dhe Valverde tentojnë me gjuajtje nga jashtë zonës dhe braziliani i Realit është ndalur nga devijimi me kokë i Pike mbi vijën fatale.
Barcelona ka vuajtur për të dalë rrezikshëm përpara, por në ato raste që e ka bërë, i është afruar shumë golit. Mesi kishte rastin më të mirë në minutën e 31-të, por Serxhio Ramos, me portierin Kurtua të mundur, u bë shpëtimtar i portës. Katalanasit e rritën ritmin në pjesën e dytë dhe Mesi e Suarez kanë pasur raste të mira, por pa rezultat para portës kundërshtare.
Kur kishin mbetur edhe 20 minuta lojë, Bejl, pasi kishte humbur një rast ideal me të majtën, e kaloi Realin në avantazh, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Sigurisht, ndeshja ka pasur edhe nervozizëm dhe në fund janë numëruar plot tetë kartonë të verdhë, ndërsa gola asnjë. Barcelona dhe Reali mbeten në udhëheqje të La Ligas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.