Mendim

Testi i’u ngjalli maturantëve ndjesinë e urrejtes për artin e fjalës

Nga Lili Sula- Maturantët tanë u testuan në provimin e Gjuhës shqipe e të Letërsisë përmes një testi skandaloz, plot probleme në rrafsh konceptual shkencor, metodik e jashtë përmbajtjes lëndore. M’u desh thuajse 30 minuta të kuptoja testin e nuk më doli koha të zgjedh alternativat, për të cilat, për një pjesë syresh, po pres me drojë të publikohet çelësi, ndoshta edhe më jep të drejtë ...

Fyerje e madhe për të gjithë maturantët që kanë lexuar veprat letrare e kanë mësuar këto dy lëndë; fyerje e nëpërkëmbje për mësuesit, që i janë përkushtuar mësimidhënies gjatë viteve të arsimit të mesëm të lartë dhe dje, pas provimit, ishin në pozitë të vështirë e nuk dinin t’i përgjigjeshin pyetjeve të maturantëve për saktësinë e alternativave.

Testi i djeshëm i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, për më shumë se 32 mijë maturantë u ngjalli atyre ndjesinë e urrejtjes për artin e fjalës, si dhe u zbehu dëshirën për të lexuar letërsi, sepse, tek e fundit, të nxënit e saj në tri vite shkollore nuk pati asnjë vlerë. Hartimi i testit për kurrikulën, që formon identitetin kombëtar te të rinjtë e që e hodhi maturantin/en në qendër të grackës ishte promovimi më i mirë që iu bë distancimit të të rinjve ndaj leximit, si dhe thirrje e hapur për të mos studiuar e jetuar në Shqipëri.

*Lili Sula është shefja e Departamentit të Letërsisë, në Fakultetin e Filologjikut


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë