Deklarata e dy mjekëve francezë, të cilët kanë propozuar që testet e vaksinës antikoronavirus të bëhen në Afrikë, kanë sjellë zemër të thellë në opinionin publik dhe ndër të parët që kanë reaguar janë yjet afrikanë të futbollit.
“Të bardhët besojnë se janë kaq superiorë”. “Afrika nuk është një laborator”. “Nuk jemi kavie”. Janë disa nga qëndrimet e shprehura në rrjetet sociale nga futbollistë dhe ish-futbollistë afrikanë, duke hapur kështu një plagë të vjetër që ekziston prej shumë kohësh: racizmin. Gjithçka lindi pas një shkëmbimi opinionesh gjatë një emisioni televiziv në kanalin francez LCI, ku tema kryesore ishte sigurisht koronavirusi.
“Mund të bëjmë një studim në Afrikë, ku nuk kanë maska, trajtime mjekësore dhe reanimacion. Është diçka e ngjashme me atë që ndodh për AIDS: “caviet” janë prostitutat, të ekspozuara dhe pa mbrojtje. Si mendon?” “Ke të drejtë, po e mendojmë diçka të tillë në Afrikë”. Bashkëbiseduesit janë Zhan Pol Mira, shefi i shërbimit të reanimacionit në spitalin “Cochin” të Parisit, dhe Kamil Locht, drejtor në institutin e kërkimeve mjekësore dhe shëndetësore.
Teksa ata flisnin, rrjetet sociale kanë marrë zjarr. I pari që reagoi ishte sulmuesi senegalez, Demba Ba, ish-lojtar i Uest Hemit, Njukasëllit dhe Çelsit, tani në Turqi. “Mirë se erdhët në Francë, ku i bardhi kujton se është sueprior dhe ku racizmi dhe dobësia janë bërë banalitet. Është koha të ngrihemi”. Ka reaguar edhe Kristian Atsu, ganezi i Njukasëllit. “Si nuk kanë turp?”

Më i ashpër në reagimin e tij ka qenë ish-sulmuesi i njohur kamerunas, Samuel Eto, i cili është shprehur pa diplomaci: “Bij ku***sh”, Afrika nuk është parku juaj i lojërave”. Edhe Didier Drogba, ish-lojtar i Çelsit, nuk është kursyer aspak. “Afrika nuk është laborator. Mos i merrni afrikanët si kavie. Janë deklarata false dhe shumë raciste. Le të ndihmojmë për ta shpëtuar Afrikën nga koronavirusi”. Shkëmbimi i opinioneve nga mjekët francezë në këtë moment shumë delikat i ka indinjuar shumë futbollistët, por edhe njerëzit e thjeshtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.