Motosport

Testet e F.1 në Spanjë/ Në pistë Alonso dhe Hemilton, spanjolli arrin kohën më të mirë

Gazeta Si – Në cirkuitin spanjoll testohen gomat që mund të përdoren në Botërorin 2005. Piloti spanjoll dhe ai anglez kanë bërë disa xhiro me Aston Martin dhe Mercedesin e 2023-shit.

Sesioni i dytë i testeve të vitit për gomat e markës ‘Pirelli’, në Jerez, në jug të Spanjës. Në pistën që mban emrin e 13 herë kampionit të botës në motoçiklizëm, Angel Nieto, zbritën dy kampionë të tjerë të shumëfishtë të botës, Ljuis Hemilton me Mercedes dhe Fernando Alonso me Aston Martin. Që të dy drejtuan makinat e përdorura në sezonin 2023.

Programi teknik i ditës ishte vazhdim i asaj që kishte nisur javën e kaluar Ferrari në Barcelonë. Janë teste krahasuese që bëhen me qëllimin për të reduktuar problemin e mbinxehjes për sezonin 2025. Në një ditë me kushte meteorologjike si në pranverë, me temperatura që kalonin 20°C për ajrin dhe 30°C për asfaltin, u bënë më shumë se 1200 kilometra. Alonso bëri 156 xhiro, kurse Hemilton 126.

Jo dhe aq të mira, për shkak të programeve të ndryshme të bëra nga skuadrat, kohët e regjistruara nga dy pilotët. Më i shpejtë ishte Alonso (1’18”752), ndërsa koha më e mirë e Hemiltonit ishte 1’18”936. Provat në këtë cirkuit do të vazhdojnë edhe sot. Për Mercedesin do të zbresë në pistë Xhorxh Rasëll, kurse për Aston Martin Lens Stroll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë