Motosport

Testet e Abu Dhabit mbyllin 2023-shin. Okon më i shpejti, mungojnë Vershtapen dhe Hemilton

Gazeta Si – Tani sipari i sezonit 2023 të Formula 1 është ulur përfundimisht. Sezoni i rekordeve të Maks Vershtapen dhe Red Bull u mbyll në Abu Dhabi me ditën e fundit të testeve kolektive. Këto teste kanë ndihmuar skuadrat dhe pjesën më të madhe të pilotëve të projektojnë kampionatin e ardhshëm, që starton më 2 mars në Bahrejn.

Ishin 8 orë aktivitet në pistën e Yas Marina për të parë konsumimin e gomave që do të përdoren në 2024-ën, identike me ato që janë përdorur nga gara e Silverston e më pas. Piloti më i shpejtë ishte Esteban Okon me Alpine, me kohën 1:24.393, gati një sekondë më i ngadaltë se ‘pole position’ i Vershtapen para garës së fundit.

Testet janë kryer më të dyja makinat nga të 10-a skuderitë, nga pilotë të rinj debutues, por edhe nga titullarët. Karlos Sainz i Ferrarit arriti kohën më të mirë gjatë 4 orëve të para. Më pas, me rënien e temperaturave, shumë pilotë rikuperuan dhe spanjolli zbriti në vend të 5-të.

Kanë munguar në këto teste Maks Vershtapen dhe Luis Hemilton, të cilëve skuderitë Red Bull dhe Mercedes u kanë dhënë pushimet pak para kohe.

Gjatë testeve pati edhe probleme dhe ndërprerje. Sesioni nisi me 25 minuta vonesë, për shkak të mungesës në cirkuit të helikopterit me stafin mjekësor. Pati një ndërprerje për shkak të ujit në pistë, si dhe për një incident të Xhorxh Rasëll. Piloti i Mrcedesit humbi kontrollin e makinës dhe doli nga pista. Ai nuk mori pjesë në pjesën e pasdites dhe i mbylli testet me 58 xhiro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë