Drejtësia

Terrorizëm në rrjetet sociale, Bledar Zeneli përlotet dhe mohon akuzat

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Bledar Zenelin, i akuzuar për “nxitje, thirrje  dhe propagandë për  kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “nxitje  të urrejtjes  ose grindjeve”.

I dyshuari u përlot në sallën e gjyqit, duke mohuar akuzën. “Nuk kam nxitur terrorizëm”, është shprehur ai.

Përmes avokatit të tij, ai tha se kishte publikuar citate të Kuranit, si edhe citimin e imamëve të ndryshëm.

Në një deklaratë për mediat, Sajmir Visha u shpreh se në këtë gjykatë njerëzit vazhdojnë të trajtohen si numra.

Visha tha se “është për të ardhur keq që kjo gjykatë përdor njerëzit si send” duke kundërshtuar vendimin.

30-vjeçari, me profesion murator, u ndalua me urdhër të SPAK pak ditë më parë, pasi prokurori i Posaçëm u bind se i riu po propagandonte për qëllime terroriste dhe se po nxiste urrejtjen

I mbajtur nën vëzhgmin e antiterrorit për dy vjet, Zeneli përdori gjerësisht rrjetet sociale për të mbështetur ISIS dhe sulmet e ndodhura gjatë kësaj kohe.

Zeneli, thotë SPAK, shfaqet duke komentuar kundër shtetit të tij dhe duke bërë propagandë për Shtetin Islamik.

SPAK dhe antiterrori thonë se në dy vite ndjekje dhe vëzhgim, rezulton se 30-vjeçari hapi llogari në “Twitter, “Intagram” dhe “Facebook” dhe aty nxiti urrejtjen duke folur për xhihadin dhe luftën e drejtë qe sipas tij ishte ajo e shtetit islamik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë