Drejtësia

Bënte thirrje terroriste, SPAK çon në gjyq dosjen ndaj Bledar Zenelit

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq dosjen në ngarkim të Bledar Zenelit.

I riu u arrestua në gusht të 2022, pas dyshimeve se me anë të rrjeteve sociale bënte propaganda për Shtetin Islamik dhe thirrje për sulme terroriste.

“Ky i pandehur, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për momentin, bënte postime publike nëpërmjet rrjeteve sociale, duke shprehur simpati të hapur për sulmet  terroriste siç ishin ai i ndodhur në datën 29 Tetor  2020 në Nicë të Francës, sulmi terrorist i ndodhur në Vjenë Austri, në datën 02.11.2020, dhe për të tjera akte terroriste apo veprimeve radikale e ekstremiste. Këto postime i bënte në profilin Elezi Ibrahimi, në Facebook”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Zeneli ka pranuar se ka publikuar statuse të tilla në rrjetet e tij sociale, por ka pretenduar se ato nuk janë për qëllime ekstremiste dhe se në një pjesë të tyre ka cituar Kuranin.

I mbajtur nën vëzhgimin e antiterrorit për një periudhë dy vjeçare, Zeneli akuzohet se përdori gjerësisht rrjetet sociale për të mbështetur ISIS, dhe sulmet e ndodhura gjatë kësaj kohe.

Por SPAK thotë se Zeneli shfaqet duke komentuar kundër shtetit të tij, dhe duke bërë propagandë për shtetin islamik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë