Në një kohë kur në Shqipëri debati kryesor sillet rreth reformës në Drejtësi dhe Vettingut, regjisori i njohur Gëzim Kame, ngjit në skenë një sallë gjyqi.Por përtej asaj që ndodh në jetën reale, me gjyqtarë të korruptuar dhe drejtësi të munguar apo shpesh të mohuar, vepra me të cilën rikthehet regjisori është më komplekse dhe vërtitet rreth dilemave universale. Një pilot, i gjendur përballë një sulmi terrorist, vendos të vrasë 164 pasagjerë në bordin e një avioni civil, për të shpëtuar jetët e 70 mijë tifozëve në një stadium, është hero apo terrorist?Detyrën për ta vulosur aktin e tij, prej terroristi apo heroi e ka pikërisht gjykata, e cila kryesohet nga Viktor Zhusti në rolin e gjyqtarit, Yllka Mujo si avokatja mbrojtëse, Eva Alikaj, ndërsa piloti vjen nën interpretimin e aktorit Lulzim Zeqja. Nw shfaqje interpreton edhe aktori Astrit Hasani. Kjo ngjarje është edhe sulmi më i rëndë terrorist i vitit, ndërsa fati i pilotit, i cili rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm është në duart e sistemin të drejtësisë, por jo vetëm...
Gjyqi përfshin shtabet e NATO-s, sallat e kontrollit të hapësirave ajrore, ministrinë e Mbrojtjes...Avioni, i drejtuar nga piloti – tashmë i pandehur dhe në sytë e të gjithë opinionit publik – niset nga Berlini drejt Mynihut. Sapo ngrihet, drejt kabinës së pilotit sulet një terrorist, i cili urdhëron nën kërcënim pilotin ta përplasë avionin në stadiumin ku luhej ndeshja Angli-Gjermani, e cila po ndiqej nga më shumë se 70 mijë tifozë. Piloti lajmëron qendrën e vrojtimit dhe menjëherë ngrihen dy avionë luftarakë, të cilët i kërkojnë terroristit ta lejojë udhëtimin përndryshe ata do të godasin avionin. Terroristi nuk bindet. Aviatorët luftarakë presin urdhër të bombardojnë avionin, që po sulet drejt stadiumit. Ministri i Mbrojtjes nuk e lëshon një urdhër të tillë. Kur avioni i afrohet drejt mijëra tifozëve, një pilot i avionëve luftarakë qëllon dhe asgjëson avionin me 164 pasagjerë. Stadiumi shpëtoi, piloti shkoi në gjyq. Sa do dënohet ai?
“Terror” është drama debutuese e autorit gjerman Ferdinand von Schirach, i cili është vetë jurist dhe autor bestseller. Në këtë vepër ai bën bashkë teatrin, kritikën dhe shoqërinë. Autori ka thënë se fillimisht dëshiroi të shkruante një ese mbi terrorizmin për Spiegel. Por u bë shumë komplekse. Nëse do të mbetej si tekst gazetaresk, zor se do të ofronte debat. "Terror” hap diskutimin sesi duam të jetojmë. Terrorizmi është sfida më e madhe e kohëve tona. Ndryshon jetët, shoqërinë, mënyrën e të menduarit.Mënyra sesi ballafaqohemi me të, nuk është thjesht çështje ligjore, por një vendim etiko-moral.Gjyqi, ka menduar autori gjerman, i shkon shumë për shtat skenës, sepse në fund, çdo proces i ngjan një vepre skenike, duke ndjekur një dramaturgji.
Piloti akuzohet për vrasje të shumëfishtë e megjithatë ai mund të ketë shpëtuar mijëra jetë. Të gjithë bëjmë pyetjen që e kapërcen sferën ligjore, mbi pushtetin e një njeriu që vendos mbi jetët apo vdekjet e njerëzve të tjerë.Nëse në atë avion, do të kishte qenë familja jote, si do të kishe vepruar? Pyetet piloti.Një fill i hollë, që ndan një akt terrorist nga një veprim heroik dhe shpëtimtar, që nuk do të vendosë vetëm për një rast, por mund të kthehet precedent për historinë.
Regjisori Gëzim Kame e ka sjellë këtë ngjarje botërore – edhe pse rasti është i trilluar, terrorizmi është frika me të cilën bashkëjetojnë sot shoqëritë, kryesisht ato perëndimore që po sulmohen vazhdimisht, ku ShBA, Anglia, Franca e Gjermania janë shënjestra të vazhdueshme të sulmeve terroriste – në kontekstin shqiptar, ku gjykatat janë ato që janë shënjestruar në veprimtarinë e tyre, në peshoren mes drejtësisë dhe korrupsionit, që ka anuar deri më sot nga kjo e fundit, ku fuqitë e mëdha ndërkombëtare i ushtrojnë presion politikës vendase të zgjidhin njëherë e mirë çështjen e sistemit të drejtësisë, me reformën që ka nisur e që synon ta pastrojë njëherë e mirë drejtësinë shqiptare. “Ajo di të mbrojë dhe të dojë një njeri. Vlerat më të larta morale dhe njerëzore dhe të thotë haptazi që Gjykata Kushtetuese ka kapitulluar. “, shkruan aktori Lulzim Zeqja, ndërsa i referohet aktores Yllka Mujo, e cila në këtë shfaqje është avokatja e tij mbrojtëse.
Edhe spoti njoftues i kësaj shfaqjeje është realizuar si një kronikë televizive e lajmit të fundit, kur gazetarët përpara dyerve të gjykatës, i bëjnë pyetje të pandehurit nëse deklarohet hero apo fajtor apo nëse është penduar për aktin, avokatja kërkon të mos bëhen pyetje dhe prokurorja shton se vendimi do të merret në sallën e gjyqit. “Ti vendos, thotë Viktor Zhusti, ku publiku në fund të shfaqjes do të vendosë të drejtën morale, nëse piloti ka vepruar si terrorist apo hero. Publiku do të ketë rast të bëhet pjesë e vendimit, në sallën e “ArTurbina”, ku shfaqja vjen premierë mbrëmjen e 5 tetorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.