Ngjarje

Tërmeti në Bulqizë, raportohet për dëme në disa fshatra. Banorët: Ishte i fortë, u frikësuam (Foto)

Lëkundjet sizmike që u regjistruan në disa qytete të vendit pak pas orës 08:00 të mëngjesit të së premtes, kanë shkaktuar jo vetëm panik mes banorëve, por edhe dëme materiale. Qytetarët në Bulqizë, aty ku ishte edhe epiqendra e tërmetit, tregojnë se lëkundjet janë ndjerë të forta.

Deri tani nga Emergjencat Civile, raportohet se14 banesa janë dëmtuar nga lëkundjet e tërmetit në qarkun e Dibrës.

5 banesa në njësinë administrative Fushë-Bulqizë

3 banesa në njësinë administrative Ostren

3 banesa në njësinë administrative Gjoric

1 banesë në njësinë administrative Shupenzë

1 banesë në njësinë administrative Bulqizë

1 banesë në njësinë administrative Zerqan

Ndërkohë grupet e verifikimit të njësive të tjera, si Zerqan, Gjoricë, Ostren, Trebisht, Martanesh dhe Fushë Bulqizë, po vijojnë punën në terren për të parë më nga afër situatën.

Po ashtu, raportohet për mure të çara në disa banesa të vjetra fshatrat Tërnovë e Madhe dhe Tërnovë e vogël, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Një prej banorëve në Bulqizë, thotë se kjo nuk është hera e parë që ndiejnë dridhjet e tokës. “U frikësuam shumë. Se është fuqi madhore ajo nuk na pret ne. Dolëm të gjithë, kush ishte në lokal doli përjashta, kush ishte në shtëpi doli përjashta. Qëndruam përjashta deri sa u qetësua gjendja”.

Ndërsa një tjetër, shprehet se nuk është lojë kjo gjë. “U frikësuam dhe dolëm jashtë. Kishte lëkundje të forta”. Sipas Institutit të Gjeoshkencës, lëkundja ishte me epiqendër në Bulqizë dhe thellësi 14 kilometra. Sipas IGJEUM, vetëm 6 minuta para lëkundjes 4.5 ballë, është regjistruar një tjetër tërmet 3.3 ballë. Në 24 orët e fundit vetëm në zonën e Bulqizës sipas IGJEUM-it, janë shënuar gjashtë lëkundje sizmike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë