Lëkundjet e forta të tërmetit, me epiqendër fshatin Vinjoll të Bashkisë Mat një ditë më parë, kanë shkaktuar dëme materiale në disa banesa. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se 12 shtëpi janë dëmtuar në Bashkinë Klos, kryesisht në çarje muresh dhe plasaritje tavanesh. Gjithashtu, 8 banesa janë dëmtuar në Bashkinë Mat dhe 47 banesa janë dëmtuar në Bashkinë Bulqizë. Në terren në zonat e prekura ka shkuar edhe drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako. Tërmeti qe tronditi sërish Shqipërinë pasditen e së shtunës ishte i fortë, me magnitudë 5.1 të shkallës rihter.
Epiqendra ishte 10 km në veri të Burrelit dhe me thellësi 23 km. Lëkundjet u ndjenë edhe në Tiranë dhe në zonat verilindore. Sizmiologët thonë se kjo ishte lëkundja e 932-të brenda një muaji. Po ashtu, sizmiologët e Institutit të Gjeoshkencave në Tiranë kanë thënë se tërmeti u pasua edhe me lëkundje të tjera, ndërsa u ndie edhe në shtetet fqinje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.