Presidenti Ilir Meta do të mbledhë të hënën Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi bëri të ditur se kreu i shtetit ka vendosur mbledhjen e këshillit e kjo në varësi të situatës dhe në orën më të përshtatshme.
Edhe më herët vetë presidenti Meta nuk e kishte përjashtuar mundësinë e mbledhjes së Këshillit. Një reagim të tillë, presidenti e mbajti gjatë inspektimit të zonave të prekura nga tërmeti në zonën e Durrësit më 27 nëntor. “Tani nuk është momenti për t’i shkëputur të gjithë drejtuesit nga puna dhe nga përkushtimi, pasi dihet që jemi në kushtet e emergjencës. Secili po bën dhe do të bëjë detyrën e tij sa më mirë që të jetë e mundur dhe më pas mund të bëjmë patjetër dhe do t’i bëjmë të gjitha konkluzionet, përllogaritjet edhe reflektimet e duhura për të ardhmen.”, u shpreh Presidenti.
Ndërkaq kreu i shtetit pati në zyrën e tij edhe një takim me me Mark Gjonaj, këshilltar në Këshillin Bashkiak të Nju Jork dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në SHBA. “Së bashku me Markun, për të na ndihmuar në këto momente të vështira, janë edhe 7 ekspertë nga Amerika, që do të merren në terren me inspektimin e të gjitha shkollave të zonës së prekur nga tërmeti dhe vlerësimin e dëmtimeve të tyre. Falënderim nga zemra dhe mirënjohje për vëllezërit dhe motrat në SHBA, si dhe për popullin dhe administratën amerikane, që po na gjenden afër në këto momente të vështira”, shkruan presidenti në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.