Politike

Tërmetet, Basha: 5 masat për situatën. LSI kërkon fondin e emergjencës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar disa zona të prekur nga tërmeti. Në një nga familjet e dëmtuara nga lëkundjet sizmike të ndodhura të shtuan e shkuara, Basha theksoi se banorët kanë nevojë për mbështetje dhe jo për propagandë. Gjithashtu ai paraqiti dhe pesë masat për përballimin e situatës së shkaktuar nga tërmeti. “Kërkojmë urgjentisht: Të bëhet evidentimi dhe transparenca e dëmeve për çdo banesë dhe biznes; Të caktohet dhe shpallet publikisht fondi i posaçëm i buxhetit për riparimin e banesave të prekura; Të pezullohen pagesat e ujit dhe energjisë për familjet e dëmtuara, deri në stabilizimin e gjendjes; Pezullimin e taksës së pronës deri në rikuperimin e dëmeve të shkaktuara”, deklaron Basha. Si pikë të pestë opozita kërkon mbështetje me kredi të buta për bizneset që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti.
Sa i përket situatës së krijuar nga tërmetet në zonat Durrës e Tiranë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar që qeveria të shpallë emergjencën.
Nënkryetari i LSI-së, Endrit Braimllari deklaroi se situata emergjente dhe tepër e rëndë me të cilën u përballën qytetarët, tregoi edhe njëherë që kemi të bëjmë me një qeveri dhe kryeministër të papërgjegjshëm!
“Kjo qeveri, e bazon punën e saj tek propaganda dhe shou politik. Qytetarët panë dje, ministra, deputetë, të cilët dilnin para kamerave për të dhënë shfaqjen e radhës dhe për të zëvendësuar kryeministrin i cili në këtë situatë emergjente, të paparë në 30 vite,vendos të braktisë vendin dhe t”i lërë qytetarët në mëshirë të fatit. Qytetarët, duan të dinë qartë: Sa janë fondet në dispozicion për situatën e tërmeteve? Sa është gjendja e fondit rezervë? Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon shpalljen e menjëhershme të gjendjes së emergjencës civile në zonat e prekura nga tërmetet dhe përmbytjet”, theksoi Braimllari.


Më tej ai shtoi se nëse Edi Rama ka vullnetin për t”i shërbyer qytetarëve të këtij vendi, duhet urgjentisht të shpallë gjendjen e emergjencës civile pasi vetëm në këtë mënyrë ligji imponon një dëmshpërblim në masën 100% për çdo dëm që ka prekur popullatën dhe mobilizimin e të gjitha resurseve shtetërore dhe private në përballimin e kësaj situate.
“Edi Rama duhet ta këtë shumë të qartë, se vendi nuk drejtohet me korrespondencë apo me propagandë, por me veprime konkrete dhe të shpejta. Kur propaganda bëhet qëllim në vetvete, kjo bën që të ndodhë si në Qarkun e Korçës ku banorët u lanë dhe vazhdojnë të jenë në mëshirë të fatit”, theksoi Braimllari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë