Arsim

Tërmet, pandemi, protestë, nxjerrje testi… mbyllet një maturë ndryshe

“Mezi i prisja provimet se përcaktojnë se çfarë dege do zgjedhim, por si vajti kjo punë nuk dihet më se çfarë do na dalë,” tregon Mirela një maturante, e cila këtë të enjte ka provimin e fundit. Këtë vit shkollor e bëri si gjithë të tjerët, gjysma-gjysma për shkak të tërmetit e më pas të pandemisë.
18 vjeçarja i tregon Gazetës “Si” se shkolla e saj Myslym Keta, bënte pjesë tek ndërtesat që u hapën pjesërisht pas tërmetit të 26 nëntorit, kështu që ajo së bashku me shokët e klasës qëndruan për një kohë shumë të gjatë në shtëpi.
Kur sapo ishin kthyer pas tërmetit, u detyruan të ktheheshin sërish në shtëpi për shkak të Covid-19. Mësimin e zhvilluan online dhe konsultimet për këto provime i realizuan vetëm një muaj.

Rreth 32 mijë maturantë iu drejtuan 1 javë më parë bankave të shkollës për provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj dhe ndryshe nga një vit më parë, testi ka qenë vetëm me pyetje alternative. Testi kishte 60 pyetje me alternativa, për 60 pikë. Autoritetet e arsimit, njoftuan se nuk ndryshon numri i pikëve, por ndryshon lloji i pyetjeve. Kjo maturë ndryshe nga të tjerët, testin e kishte vetëm me pyetje me alternativa dhe koha për provimin ishte 2 orë. Kjo mënyrë testimi u krye për shkak të pandemisë së Covid-19, për të mos grumbulluar më shumë mësues për korrigjimin e testeve, i cili do të bëhet me anë të teknologjisë.

Mirela tregon se kjo maturë ndryshe pati pasoja.
“Unë kam qenë një ndër nxënëset që dolën në protestë pas provimit të Gjuhë-Letërsisë pasi ishte një test absurd siç e kemi thënë. Kemi kaluar një stres të madh dhe nuk është çudi të dalim keq në provime. Mua edhe po ma dhanë notën e mirë në Letërsi e di që nuk do meritoj se s’kam bërë sa duhet,” tregon maturantja më tej e cila deri më tani (pa llogaritur provimet) e ka mesataren 9.

Pas provimit të Gjuhë-Letërsisë, i cili nxiti protestat e maturantëve, në atë të matematikës pati një tjetër histori. Teza doli para nisjes së provimit për të dytin vit radhazi, ndërsa ende nuk ka një reagim nga Ministria për të treguar edhe përgjegjësit që e nxorën testin. Ekspertët e Arsimit i shpjeguan Gazetës “Si” se ky ishte një cedimi madh nga organet kompetente të Ministrisë së Arsimit. Por maturantët nuk protestuan për daljen e testit të matematikës, por vijuan të kërkonin një zgjidhje për testin e Gjuhë-Letërsisë. Ministria u tërhoq pas protestës disa ditkëshe dhe deklaroi se pyetje specifike të testit nuk do të ishin pjesë e vlerësimit përfundimtar.

Sot maturantët testuan njohuritë e tyre për lëndët me zgjedhje dhe kështu mbyllin të gjithë kalvarin e kësaj mature që nuk ishte aspak normale. Edhe disa ditë ata do të presin rezultatet përfundimtare të provimeve. Për mbrëmje mature e dinë që nuk kanë për të festuar. Më pas nis një histori tjetër, ajo e universitetit.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë