Futboll

Tërhiqet Ibrahimoviç, Milani e përshëndet me fitore. Juve në Ligën e Konferencës

Gazeta Si - Seria A luajti sot në mbrëmje javën e fundit të kampionatit, që ‘vulosi’ edhe verdiktet e sezonit. Pak orë më parë Napoli mundi 2-0 Sampdorian dhe festoi me tifozët titullin kampion në një atmosferë fantastike në ‘Maradona’.

Milani, ditën e lamtumirës së Ibrës, mundi 3-1 Veronën. Me Championsin të siguruar, skuadra e Piolit nuk toleroi aspak, por shënoi 3 herë me Zhiru dhe Leao (dopietë). Verona gjithsesi do të luajë një ndeshje shtesë për qëndrimin në Serinë A, pasi edhe Specia rivale u mund 2-1 nga Roma. Verona dhe Specia e mbyllën kampionatin me pikë të barabarta, 31, por vetëm njëra prej tyre qëndron.

Atalanta e Gjimshitit fitoi 5-2 ndaj Moncës dhe siguroi një vend në Ligën e Europës, bashkë me Romën. Juventusi ndërkohë mposhti Udinezen 0-1, me gol të Kiezës, që do të thotë se do të luajë në Ligën e Konferencës, por më parë duhet të presë vendimin e UEFA-s.

Koreografia e tifozeve te Milanit per nder te Ibrahimoviç. Gazeta Si, 4 qershor 2023

"Godbye" Ibra!
Ndeshja e Milanit me Veronën u hap me fytyrën e Zllatan Ibrahimoviç me lot, pranë stolit kuqezi, nga ku i ka ndjekur shokët e ekipit gjatë muajve të dëmtimit të gjatë. Suedezi u emocionua nga përshëndetja e tifozëve të Milanit, të cilët kishin përgatitur banderolën "Godbye", një lojë fjalësh për idhullin e tyre, 2 herë kampion me fanellën kuqezi.

Ibra, sapo u inkuadrua nga kamera, bëri formën e zemrës me duar në respekt të tifozëve të shumtë, që kishin mbushur ‘San Siron’ për të përshëndetur suedezin në ditën e lamtumirës nga Milani.

Ibrahimoviç largohet pas 93 golash në 163 ndeshje me Milanin. I rikthyer në janar të 2020-ës, pas 2 sezonesh me Los Angeles Galaxy, ai mbajti premtimin. "Jam këtu për ta çuar këtë klub aty ku meriton”, - kishte thënë para 3 vitesh.

Tani, 41 vjeç, ai largohet mes koresh dhe duartrokitjesh nga Milani, dhe nga futbolli i luajtur. "Erdhi momenti të largohem nga futbolli, por jo nga Milani", - tha suedezi pas ndeshjes, duke zyrtarizuar tërheqjen nga futbolli i luajtur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë