Politike

‘Tensionet në veri nuk janë shaka’, Rama nga Beogradi: Dialogu e vetmja rrugë përpara

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Serbia të mos nënvlerësohet rreziku ku gjendemi duke iu referuar tensioneve në Veri të Kosovës.

Gjatë konferencës së përbashkët me presidentin serb në Beograd Rama tha se rruga e vetme për të ecur përpara nuk është nxitja e tensioneve por dialogu.

 “Me tensionet që janë prezente në veri të Kosovës, ne shmangim shprehjen e opinioneve tona publikisht, që të mos përkeqësojmë situatën dhe ta kthejmë atë në drejtim të gabuar. Do të përsëris se e vetmja rrugë përpara është rruga e dialogut dhe marrëveshjes bazuar në planin franko-gjerman. Askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun e përshkallëzimit deri në atë pikë sa të gjendemi në një situatë që lëvizjet e armatosura të fillojnë të bëjnë diçka që nuk duhet të lejojmë të ndodhë, kjo do të na çonte në një situatë të krahasueshme me Donbass”, tha Rama.

Ai pranoi edhe njëherë se nuk e ka konsultuar draftin për Asociacionin që dorëzoi në Gjermani dhe Francë as me Kosovën dhe as me Serbinë, teksa kërkoi që nëse mbahen zgjedhjet në veri të garantohet pjesëmarrja.

“Propozimi për Asosacionin është një kontribut nga ana ime, por nuk e kam konsultuar me Serbinë dhe Kosovën. I është dorëzuat dy kumbarëve Francës dhe Gjermanisë, i takon palëve ta lexojnë apo jo. Tërheqja zvarrë e asocacionit të komunave serbe është një gabim strategjik. Këmbëngulja për të mbajtur në godina bosh kryetarë të kthyer në pengesë për zgjidhjen është një gabim strategjik. Kur të hapet rruga për zgjedhje duhet të garantohet pjesëmarrja”, tha Rama.

Ai është shprehur se me Vuçiç do të diskutojë në mënyrë shteruese për procesin e Berlinit.

“Do diskutojmë në mënyrë shteruese për procesin e Berlinit. Ne jemi mjaftueshmërisht mësuar që t’i ndajmë opinionet tona në mënyrë të drejtpërdrejtë, të biem dakord që nuk biem dakord, por kjo s’na ndalon bashkëpunimin dhe paqen. Për të punuar dhe bashkëpunuar konkretisht duhet që në momente si ky, që është një moment specifik, të evitojmë që ndarja e gjithë pikëpamjeve në publik të përkeqësojë klimën”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Vuçiç u shpreh se qëllimi i Serbisë është paqja dhe se vendi i tij po punon në këtë drejtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë