Politike

Takimi në Beograd / Rama dhe Vuçiç ‘ndahen’ për Kosovën

Nga Gazeta ‘Si’-Gjatë konferencës së përbashkët në Beograd pas takimit që patën, kryeministri Rama sëbashku me homologun serb Aleksandar Vuçiç, u duk se nuk ishin në një mendje lidhur me çështjen e Kosovës.

Ndërsa Rama deklaroi se e vetmja rrugë për të ecur përpara ishte dialogu dhe plani franko-gjerman, Vuçiç tha se ata kishin pikëpamje të ndryshme dhe nuk duhet të pyeten për këtë temë në sy të njëri-tjetrit.

“Duke folur për planin e shtensionimin, që foli Rama, i njoh përmendësh. Nga tre, Serbia ka realizuar dy, sepse duhet të veprojë edhe Prishtina. Të tërhiqen kryetarët e komunave dhe më pas të vijojmë. Ne duam paqe. E dimë që si në Tiranë dhe në Prishtinë, mendojnë se Serbia është fajtore.

Unë nuk jam aq optimist se sa Edi. Sepse ky di të flasë më mirë se unë me Brukselin. Mos na pyesni mua dhe Edin për Kosovën dhe Metohinë në sytë e njërit -tjetrit”, deklaroi Vuçiç i cili megjithatë në një moment theksoi se pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme, Serbia do vijoje përpjekje për marrëdhënie te mira me Shqipërinë.

Rama kërkoi nga Serbia që të mos nënvlerësohej rreziku(duke iu referuar situatës në veri të vendit) dhe përsëriti se e vetmja mënyrë për normalizim ishte dialogu dhe marrëveshja e bazuar në planin franko-gjerman.

Por, tone të acaruara pati edhe në fund të konferencës kur u fol për çështjen e draftit që kreu i qeverisë shqiptare i ka dorëzuar presidentit francez dhe kancelarit gjerman për Asociacionin.

Ndërsa pranoi edhe njëherë se nuk e kishte konsultuar draftin për Asociacionin që dorëzoi në Gjermani dhe Francë as me Kosovën dhe as me Serbinë, Rama tha se zvarritja e tij është një gabim strategjik.

“Propozimi për Asosacionin është një kontribut nga ana ime, por nuk e kam konsultuar me Serbinë dhe Kosovën. I është dorëzuar dy kumbarëve Francës dhe Gjermanisë, i takon palëve ta lexojnë apo jo”, tha ai duke sjellë më pas një reagim me tone të ashpra të presidentit serb.

Vuçiç u shpreh se në Serbi njerëzit i zgjedhin vetë kumbarët e tyre, duke theksuar se sipas marrëveshjes së Brukselit është vetëm vendi i tij ai që mund të propozojë statutin e Asociacionit.

Menjëherë pas kësaj, ai hoqi kufjet dhe i dha dorën Ramës duke mbyllur konferencën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë