Çmimet e naftës janë rritur, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme u përshkallëzuan sërish dhe investitorët po vlerësojnë mundësinë e një rritjeje të normave të interesit në SHBA.
Rritja e çmimeve të naftës erdhi pasi SHBA njoftoi se kishte goditur disa raketahedhës iranianë ishullin Larak në ngushticën e Hormuzit. Ky ishte sulmi i parë amerikan ndaj Iranit pas një muaji. Irani më pas u kundërpërgjigj duke goditur objektiva ushtarake amerikane në Jordani.
Të dy kontratat kryesore të naftës u rritën me më shumë se 2%. Ngjarjet kanë rikthyer shqetësimet për luftën SHBA-Iran, në një kohë kur përplasjet ishin zbutur dhe përpjekjet për bisedime paqeje nuk kanë sjellë rezultate.
Situata në ngushticën e Hormuzit mbetet veçanërisht shqetësuese për tregjet. Përmes kësaj rruge kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë. Konflikti ka shkaktuar vështirësi në transportin e energjisë dhe çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të ndikojë në furnizimet globale.
Rritja e çmimeve të energjisë po e vështirëson edhe më shumë luftën e bankës qendrore amerikane kundër inflacionit. Inflacioni në SHBA është aktualisht 3.7%, pothuajse dyfish i objektivit prej 2% të Rezervës Federale. Në një fjalim në takimin vjetor të bankierëve qendrorë në Jackson Hole, zyrtari i Rezervës Federale, Kevin Warsh, dha sinjale se normat e interesit mund të rriten. Ai tha se inflacioni mbetet shqetësues dhe se kushtet financiare aktuale nuk mund të konsiderohen ende mjaftueshëm kufizuese.
Megjithatë, Warsh nuk tha qartë se do të mbështeste një rritje të normave të interesit. Tregjet tani presin të dhënat e reja ekonomike që do të publikohen gjatë dy javëve të ardhshme, veçanërisht shifrat e punësimit dhe të inflacionit.
Komentet e tij ndikuan edhe në tregjet financiare. Indekset kryesore në Wall Street ranë të premten, ndërsa yield-et e bonove afatshkurtra amerikane u rritën dhe dollari fitoi terren ndaj monedhave të tjera. Ari, i cili zakonisht përfiton kur normat e interesit janë më të ulëta, pësoi rënie.
Tregjet aziatike ndoqën të njëjtën tendencë të hënën. Aksionet në Tokio, Seul, Hong Kong, Shangai, Taipei dhe Xhakartë ranë, ndërsa Singapori dhe Wellingtoni shënuan rritje të lehtë. Kompanitë e teknologjisë u goditën më shumë, pasi varen në masë të madhe nga huamarrja për të financuar investimet e mëdha në inteligjencën artificiale.
Investitorët tani presin të dhënat e reja ekonomike për të kuptuar se çfarë vendimi mund të marrë Rezerva Federale për normat e interesit. Të dhënat për punësimin priten këtë javë, ndërsa raporti i inflacionit për konsumatorët pritet javën e ardhshme.
Ndërkohë, tregu i naftës mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Edhe pse qarkullimi i naftës përmes ngushticës së Hormuzit është përmirësuar krahasuar me ditët më të vështira të konfliktit, përshkallëzimi i fundit ka treguar se furnizimet globale mund të përballen sërish me rreziqe të mëdha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje