Pas reagimeve të PD, një ditë më parë, kreu i opozitës, Basha vijoi akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Xhafaj nga foltorja e Kuvendit. Kreu i PD tha se Fatmir Xhafaj është vetë “peshku i madh”. Basha akuzoi ministrin e Brendshëm se bashkë me të vëllanë, që e thërrasin “pashai i Vlorës” janë kokat e një prej familjeve mafioze, që ka shëndrruar sot qytetin bregdetar në kryeqytetin e kokainës.
“Është koka e një prej familjeve mafioze, ku i vëllai bën trafikun e kokainës dhe ai vetë falsifikon ligjet për të mbrojtur vëllain e tij kriminel nga vuajtja e dënimit. Agron Xhafaj është një kriminel i dënuar, që i ka shpëtuar vuajtjes së dënimit, Fatmir Xhafaj është kriminel i pandëshkuar” tha Basha në Kuvend.
Nisur nga situata e tensionuar, pas fjalës së Bashës, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci ndërpreu seancën. Ndërkohë ish Kryeministri Berisha shfrytëzoi rrjetin social Facebook për të transmetuar akuzat e tij ndaj Xhafajt dhe Ramës.
“Këtu nuk është fjala për Agron Xhafën, por është fjala për Edvin Ramën për këta trafikantë të cilët kanë pushtuar me drogë karrigen e tyre të turpit. I kanë mbyllur Shqipërisë dyert e Evropës dhe pasurohen si mumuthë çdo ditë mbi krimin. Këtu është fjala për ata vagabondë politikë, që sulmojnë deputetët Europës në ditën e Europës” tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.