Futboll

Tension te Mançesteri, drejtuesi i klubit zihet me Fergusonin në tribunë

Tensioni është gjithnjë në rritje te Mançester Junajtid. Zëvendëspresidenti i klubit të madh anglez, Vuduard, kundërshtari historik i Zhoze Mourinjos, mund të ketë firmosur “dënimin” e tij, sepse ka pasur një ide të gabuar në kokë: të zihej me Sër Aleks Fergusonin, ish-trajnerin legjendar të “Djajve të kuq”. Tifozët nuk e falin.

Përveçse në fushë, ku Mançesteri barazoi së fundi me Shefild Junajtid, tensioni ka kaluar edhe në tribunë. Presidenca e klubit është gjithmonë nën zjarrin e kritikave nga të gjitha anët dhe pjesëtarët e saj duken mjaft nervozë. Ai që e ka shprehur qartë këtë gjë është zëvendëspresidenti Vuduard, një personazh që nuk ka qenë kurrë i dashur te Mançesteri. Sipas “Daily Mail”, ai është kapur nga telekamerat në tribunë, teksa po zihej me dikë që për “Djajtë e kuq” është i shenjtë, me Sër Aleks Ferguson. Skocezi, edhe pse në gjendje jo shumë të mirë shëndetësore, pasi vuan ende pasojat e një hemoragjie cerebrale të disa muajve më parë, nuk ia ka përtuar pjesëtarit të presidencës. Një skenë që flet qartë për situatën te Mançester Jujnajtid.

https://twitter.com/DeGeaFacts/status/1198655363307851777
Nisma e tifozëve të Mançesterit për largimin e zv/presidentit. Gazeta Si, 25 nëntor 2019

Janë të gjithë kundër të gjithëve dhe gjithçka reflektohet edhe në fushë nga skuadra, aq sa trajneri Solskjaer nuk di ku të vërë dorë më parë. Tifozët kanë shpërthyer sërish, sepse për ta rregulli numër 1 është: “mos e prek kurrë Sër Aleksin!” Trajneri që e bëri Mançesterin legjendë, ka kritika të forta për mënyrën si po administrohet klubi. Kështu, më shumë se kurrë më parë, tifozët kërkojnë largimin e Vuduard. Fushata e tyre në rrjetet sociale sapo ka nisur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë