Futboll

Tension në Rrogozhinë, tifozët ndërpresin ndeshjen. Laçi ndëshkon Vllazninë

Gazeta Si – Futbolli shqiptar sjell gjithmonë çudira dhe një nga këto u pa sot në stadiumin e Rrogozhinës, ku ndeshja mes Egnatias dhe Teutës shkoi deri në minutën e 110-të. Shkaktarë u bënë tifozët vendës, të cilët krijuan tension dhe ndeshja u ndërpre më shumë se çerek ore.

Rezultati ishte 1-1 pas një ore lojë, kur tifozët e Egnatias filluan të shanin arbitrin në kor dhe të krijonin tension në tribuna. Një moment tensioni në fakt pati që në fund të pjesës së parë, por në të dytën situata u agravua. Tifozët vendës filluan të hidhnin sende drejt stolit durrsak dhe arbitrit të katërt.

Moment tensioni i krijuar nga tifozet rrogozhinas. Gazeta Si, 19 mars 2023

Më pas, me ndërhyrjen e policisë dhe thirrjet e spikerit për qetësi, sepse në të kundërt nuk do të vazhdonte ndeshja, loja rifilloi. Kishte kaluar më shumë se çerek ore dhe lojtarët u detyruan të bënin nxemje në fushë.

Në fund Teuta humbi shansin e artë për të fituar, duke shpërdoruar nëj penallti me Kallakun. Egnatia qëndron në zonën europiane të renditjes pas barazimit 1-1, kurse Teuta lufton për mbijetesë.

Durrsakët janë kaluar edhe nga Laçi në javën e 26-të. Kurbinasit mundën sot 2-0 Vllazninë, duke iu larguar zonës së ftohtë të renditjes. Guindo shënoi dy herë në portën shkodrane, duke i shkaktuar Vllaznisë një humbje të rëndë.

Prej javësh skuadra e Josës nuk po bind në kampionat, duke humbur disa mundësi të mira për t’iu afruar kreut. Ndoshta humbja e sotme mund të ketë edhe pasoja për skuadrën shkodrane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë