Bota

Tension në Lindjen e Mesme, Irani sulmon bazat e një grupi militant në Pakistan

Gazeta Si - Irani nisi një seri sulmesh të martën në Pakistan, që sipas zyrtarëve në Teheran, kishin në shënjestër bazat e grupit militant Jaish al-Adl, duke rritur më tej tensionet në Lindjen e Mesme tashmë të tronditur nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Pakistani tha se në këto sulme u vranë dy fëmijë dhe u plagosën tre të tjerë dhe akuzoi Iranin për një "shkelje të paprovokuar" të hapësirës së tij ajrore.

Paqartësitë mbi këtë ngjarje pasuan njoftimin nga Irani pasi raportet e medias shtetërore për sulmet u fshinë shpejt.

Megjithatë, sulmi nga Irani brenda Pakistanit, i cili ka armë bërthamore, kërcënon marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat prej kohësh e kanë parë njëri-tjetrin me dyshim pavarësisht se janë në marrëdhënie diplomatike.

Sulmet e Iranit në Pakistan pasojnë ato të një dite më parë në Irak dhe Siri, ndërsa Teherani po përpiqet të hakmerret për dy sulme vetëvrasëse këtë muaj, në të cilat u vranë mbi 90 njerëz.

Përgjegjësinë për shpërthimet në Iran e mori Shteti Islamik.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve “IRNA” dhe televizioni shtetëror njoftuan se në sulmet në Pakistan janë përdorur raketa dhe dronë.

“Press TV”, kanali në gjuhën angleze i televizionit shtetëror iranian, tha se sulmet ishin kryer nga Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit.

Irani ka luftuar në zonat kufitare kundër militantëve, por një sulm me raketa dhe dronë në Pakistan është i pashembullt. Sipas mediave iraniane, në shënjestër të sulmeve kanë qenë malet e provincës së Baluçistanit në Pakistan.

Ministria e Jashtme e Pakistanit dënoi sulmet përmes një deklarate.

“Pakistani dënon fuqishëm shkeljen e paprovokuar të hapësirës së saj ajrore nga Irani, e cila rezultoi në vdekjen e dy fëmijëve të pafajshëm dhe plagosjen e tre vajzave”, thuhet në deklaratë.

Të hënën vonë, Irani sulmoi raketa pjesën veriore të Sirisë, duke vënë në shënjestër grupin Shteti Islamik dhe një “qendër izraelite të spiunazhit” në Irak, pranë kompleksit të konsullatës amerikane në qytetin e Irbilit.

Iraku të martën i quajti sulmet, në të cilat u vranë disa civilë, një "shkelje të hapur" të sovranitetit të Irakut dhe tërhoqi ambasadorin e tij nga Teherani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë