Lajme

Tenderi për kontrollin e biznesit, Tabaku: Baxhanaku i Ramës, pjesë e skemës mafioze

Partia Demokratike ka vijuar edhe sot me akuzat për fituesin e tenderit për sistemin e ri të monitorimit të transaksioneve të biznesit.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, në një deklaratë për mediat nga selia blu akuzoi baxhanakun e kryeministrit Edi Rama, Armando Frangu, si  pjesë të skemës mafioze për të nxjerrë fituese kompaninë kroate të monopolit të kontrollit online të faturimit të biznesit.

“Kompania e baxhanakut të Edi Ramës ka marrë pjesë në tender pa bërë asnjë ofertë, por për të legjitimuar procesin”, u shpreh Tabaku.

“Tenderi që i jep një kompanie kroate monopolin e kontrollit online të faturës tatimore për çdo shitje nga biznesi është një nga tenderat haptazi korruptivë të qeverisë Rama. Partia Demokratike denoncoi 5 javë më parë se kriteret e vendosura ishin përcaktuar për të nxjerrë fituese kompaninë kroate. Por, nuk janë vetëm kriteret e paracaktuara të tenderit që e bëjnë atë korruptim, pasi faktet provojnë manipulimin e kësaj gare. Dokumentet e bërë publik që unë po prezantoj sot këtu tregojnë se në tenderin fasadë prej 15 milionë eurosh kanë marrë pjesë 3 garues. Dy prej tyre kanë qenë aty në garë për të legjitimuar skemën korruptive. Bashkëpunëtor në këtë skemë është edhe Armando Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama. Përmes kompanisë së tij B360, ai nuk ka dhënë asnjë ofertë në garën fallco për të legjitimuar fitoren e kompanisë kroate të tenderit korruptiv prej 15 milionë dollarësh”, tha ndër të tjera deputetja demokrate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë