Lajme

Tenderat, PD: Balili e Bego përfituan para publike nga qeveria Rama

Pas publikimit të procedurave ligjore për pjesëmarrjen në tendera nga ana e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, vjen dhe reagimi nga radhët e Partisë Demokratike.
Këshilltari Ligjor i PD-së, Gazment Bardhi, ka listuar tenderat që sipas tij janë dhënë në mënyrë abuzive nga qeveria “Rama”. Bardhi tha se Edmond Bego ka përfituar 14 milionë euro nga punët publike, ndërsa Klement Balili 77 tendera nga të cilat 30 pa garë.
“Propaganda dhe tallja me shqiptarët janë mjeti i vetëm i qeverisë së Edi Ramës për të mbuluar bashkëqeverisjen me krimin. Nuk ka asnjë inisiativë të re nga qeveria e Edi Ramës kundër krimit të organizuar. Ministrja e Drejtësisë e di se ligji që ndalon personat e përfshirë në krimin e organizuar të mos përfitojnë tendera dhe koncesione është në fuqi prej vitit 2006. Neni 45 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton se organet shtetërore duhet të përjashtojnë nga një procedurë prokurimi çdo person për të cilin ka të dhëna se ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në organizata kriminale.
Me ardhjen në pushtet të Edi Ramës ky ligj nuk u zbatua dhe tenderat, koncesionet, PPP-të ranë në duart e trafikantëve të drogës dhe personave të tjerë të përfshirë në krimin e organizuar.
Miku i Taulant Ballës, Edmond Bega, që ka përfituar 14 milionë euro nga punë publike, si dhe leje dhe licensa,
Klement Balili, në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, ka përfituar 77 tendera, nga të cilat 30 pa garë.
Edison Sali, anëtar i bandës së Agron Xhafaj, ka përfituar 12 tendera gjatë qeverisë së Edi Ramës”, tha ndër të tjera Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë