SPAK shkundi sërish zyrat e shtetit pranë Ministrisë së Brendshme kësaj radhe, duke dërguar nën arrest nëntë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të këtij dikasteri, që të gjithë nën akuzë për shkjelje të barazisë në tendera.
Dhe bëhet fjalë për tenderin e uniformave të policisë, një nga lojërat më tipike të kryera ndër vite me tenderat dhe që ndërkohë asnjëherë nuk garantuan veshje cilësore për policët.
Megjithë ceremonitë dhe premtimin e shumë ministrave të Brendshëm, deri duke imituar edhe veshjet e policisë turke, policisë shqiptare nuk iu garantua asnjëherë veshja dimërore cilësore e tipit uniform dhe po ashtu edhe verorja, e tillë që të jetë sipas parametrave evropianë.
LEXO EDHE:
– Arrestimet, Alibeaj: Operacioni u dekonspirua tre ditë më parë, të hetohet edhe Ndreca me Lleshajn
– Arrestimet në MB, Yuri Kim: Abuzimi me prokurimet, krim
– Basha: Rama në qeveri është më dëmshëm se “Ramët” e emëruar prej tij
– Uniformat, si u zbulua një vit më parë afera miliona euro nga opozita e re
– Abuzuan me tenderin e uniformave, rolet dhe akuzat ndaj zyrtarëve të MB
– Tenderi i uniformave të policisë, arrestohen 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme
Ky abuzim solli që shumica e efektivëve përballë cilësisë së keqe të këmishës dhe të pantallonave dhe këpucëve, megjithëse furnizoheshin me to, t’i drejtohen herë pas here privatisht rrobaqepësive, duke i qepur me shpenzimet vetjake. Një gangrenë që asnjë ministër dhe asnjë drejtor i përgjithshëm nuk e zgjidhi dot.
SPAK e nisi pastrimin e kësaj agjencie me dërgimin në qeli të Edlira Naqellarit, një zyrtare që kryesoi Drejtorinë e Blerjeve të Përqëndruara për vite me radhë, por që gati një javë më parë në kulmin e hetimeve që po zhvillohehsin pranë SPAK, u shkarkua nga detyra me urdhër të ministrit te Brendshem, Çuçi.
Së bashku me të, Gjykata e Posçame iu bind SPAK-ut dhe vendosi masa në mungesë edhe për zyrtarët e tjerë anëtarë të KVO, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj.
Që të gjithë ata nga hetimi i deritanishëm, për të cilin SPAK paralajmëron se do të vazhdojë hetimet, duke nënkuptuar edhe përfshirjen e zyrtarëve të tjerë apo ish- zyrtarëve, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, favorizuan një kompani për të fituar tenderin gati 25 milionë eurosh.
Konkretisht SPAK, thotë se anëtarët e njësisë së prokuroimit publik, Çekrezi, Bogdani, Omuri dhe Hasani, në sinkron me anëtarët e KVO-së, Bejkaj, Demneri, Buzali dhe Mingaj, me në krye drejtoreshën, sollën avantazhe dhe privilegje të padrejta për kualifikimin e operatorit fitues.
Uniformat e policisë, korrupsioni që la zhveshur policët ndër vite
Uniformat e policisë ndër vite, kanë qenë objekt hetimesh të dështuara, që përherë janë mbyllur pa asnjë rezultat. Drejtorë dhe ish-drejtorë policie, janë kallëzuar vit pas viti, sekretarë të përgjithshëm në ministri, që i kanë shpëtuar hetimit si me magji, që të gjithë të dyshuar e të përfolur për tendera që përzgjidhnin kompani, të cilat prodhonin me cilësi të keqe veshjet e policëve, deri tek kompani që ishin shpallur fituese dhe që përfitonin rimbursim.
Në ngërçin e tenderave për veshjet e policëve, nuk përmenden gjithashtu tenderat që u anuluan, megjithë pompozitetin e ceremonive, duke nisur nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri apo edhe Fatmir Xhafaj, të cilët pas çeljes së procedurave, i anuluan tenderat pa dhënë detaje.
Por të gjitha keto skandale, në së paku 20 vjet kallëzime kundër tenderave të diskutueshëm që lidhen me veshjet, uniformat dimërore dhe verore e këpucët e policëve, nuk u hapën asnjëheë dhe hetimet përfunduan në fantazmë.
Tenderi që duhet ta vishte policinë, por e la sërish me këmisha të dala boje
Me siguri, askujt nuk i ka shpëtuar paraqitja e policëve në rrugë apo në aksione që janë jo vetëm të dala boje, por aspak të denja për t’u mbajtur nga një oficer policie.
Ato janë të vjetëruara dhe më tepër bien në sy policët rrugorë dhe të patrullave dhe së treti të Shqiponjave. Sakaq, edhe furnizimi me këpucë të RENEA-s, bëri bujë vitin e kaluar, pasi ato u dhuruan me ceremoni dhe u pa si një ulje e autoritetit të forcave speciale. Por gjithçka mbeti në kuadër të regaimit virtual.
Çështja më e fundit që u kritikua nga politika, ishte tenderi gjatë kohës që Ministrinë e Brendshme e kryesonte Sandër Lleshaj. Tenderi u njoftua nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara në cilësinë e organit qëndror blerës dhe u publikua në korrikun e 2019-ës për procedurën e prokurorimit “Procedurë e kufizuar, mbi kufirin e lartë monetar – Prokurim Elektronik – Marrëveshje Kuadër me afat 4 vjet”, me objekt: “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”. Si autoritet kontraktor është Drejtoria Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Prokurimi u argumentua nga kjo agjenci, që është nën varësi të Ministrisë së Brendshme se po realizohej përmes “Marrëveshjes Kuadër”, “si një instrument i përcaktuar nga legjislacioni i brendshëm për prokurimin publik dhe nga direktiva e Bashkimit Europian, që në rastin konkret garanton plotësimin e nevojave me uniforma për punonjësit e Policisë së Shtetit në çdo kohë, për një periudhë 4 vjeçare”, – njoftoi në atë kohë ky institucion.
Një vit më pas, u konfirmua se shpenzimi që do të kryhej ishte 23 milionë euro, me një afat katër vjeçar, që garantonte veshje për efektivët për të gjitha stinët. Ajo që u pa, ishte përzgjedhja e një kompanie që SPAK vlerëson se është zgjedhur me preferencë dhe me njohje.
Ndërkohë, dosja u dorëzua verën e kaluar nga opozita, por personi që nuk iu nda denoncimit ishte deputeti Myslim Murrizi, që tha se kompania fituese e përzgjedhur fitoi nga ku u llogarit se vetëm për këpucët ishin futur zë më vete, 214 milionë lekë, ndërsa 612 milionë për uniformat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.